Debati dyditor i zhvilluar për ndotjen e ajrit në Kuvendin e Kosovës ka rezultuar me votimin e një rezolute, me të cilën janë pajtuar 73 deputetë që kanë marrë pjesë në votim.
Në 19 obligimet e kërkesat e Kuvendit për institucionet e Kosovës, kryesisht për Qeverinë, janë përfshirë pothuajse të gjitha rekomandimet e deputetëve që kanë marrë pjesë në debatin e zhvilluar në seancën e jashtëzakonshme, që është mbajtur me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të 39 deputetëve të tjerë, shkruan sot Koha Ditore.
Ndonëse debati është cilësuar i një rëndësie të lartë, gjatë gjithë kohës sa është zhvilluar ditën e enjte, numri i deputetëve në sallë të Kuvendit është sjellë në rreth 35 deputetë. Mungesa e deputetëve është përmendur edhe nga disa deputetë që kanë debatuar. Kuorumi është arritur vetëm për të votuar rezolutën. Afate kohore u janë vendosur disa masave të kërkuara, ndërkohë që edhe pse gjatë debatit është kërkuar që për secilën masë të caktohet edhe një kosto e përafërt buxhetore, një gjë e tillë nuk është bërë.
Në pikën e parë të kësaj rezolute Kuvendi ka vendosur që mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Qeverisë gjithashtu i është kërkuar që të rishikojë dhe plotësojë me masa shtesë në Strategjinë për mbrojtjen e mjedisit brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Është kërkuar që deri në fund të vitit 2018 të vendosen elektrofiltrat e cilësisë së duhur në termocentralet e KEK-ut....(më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)