Kuvendi i Kosovës nuk po mund të ushtrojë funksionin mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), që ia përcakton Ligji në bazë të të cilit funksionon kjo agjenci.
Kjo për faktin se të premten për herë të katërt radhazi zyrtarët e kësaj agjencie nuk i janë përgjigjur Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, për raportim lidhur me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas Ligjit për AKI-në, puna e kësaj agjencie mbikëqyret nga Komisioni mbikëqyrës parlamentar. Por pasi që tashmë ish -drejtori i AKI-së Driton Gashi, para se të ofronte dorëheqjen nuk u paraqit në komision për tri herë radhazi, të premten kërkesës së deputetëve nuk i është përgjigjur as zëvendësi i tij, Latif Merovci.
Merovci, përmes një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga Komisioni në fjalë që të shtyhet ky raportim deri sa, siç ka shkruar ai, “të sqarohen rrethanat e krijuara në AKI”.
Në këso situate, zëvendëskryetarja e Komisionit, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, ka thënë se si Komision iu është pamundësuar kontrolli demokratik mbi këtë institucion të shtetit. Sipas saj, bazuar në ligj, Merovci do të duhej t’i ishte përgjigjur Komisionit në raportim. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)