Kuvendi i Shqipërisë nisi sot (12 shtator) zyrtarisht Legjislatura e XI. Seancën e parë e hapi deputeti socialist Vasil Llajo, si më i vjetri në moshë, pasi këtë rol e refuzuan Sali Berisha dhe Tritan Shehu.
Në fjalën e tij, Llajo bëri apel për bashkëpunim mes forcave politike dhe e cilësoi procesin e integrimit evropian si “mision kombëtar”.
Seanca u shoqërua me tensione pasi opozita bllokoi disa herë foltoren dhe refuzoi të propozojë 3 emrat për Komisionin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve. Kjo bëri që mazhoranca të miratojë me votat e saj 6 anëtarët e saj të komisionit, ndërsa pas kësaj procedurë seanca u mbyll për t’u rinisur në orën 17:00, ku pritet të bëhet edhe betimi i 140 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Tre deputetet më të reja në moshë – Marjana Koçeku, Zeqine Çaushi dhe Klodjana Çapja – u zgjodhën si Sekretare të përkohshme të Kuvendit deri në formimin e Byrosë.
Llajo theksoi se jeta politike ndërtohet mbi energjinë e rinisë dhe maturinë e përvojës, duke nënvizuar se çdo vendim që do të merret në sallën e Kuvendit duhet të vendosë në qendër qytetarin dhe dinjitetin e tij.
“Sipas Kushtetutës, më është besuar detyra e nderuar për të hapur këtë seancë të parë. Ky është një moment solemn, sepse fillon kapitulli i katër viteve të ardhshme, ku do të shkruhet historia e vendit tonë.
Jeta politike ndërtohet mbi energjinë e rinisë dhe maturinë e përvojës. Shërbimi ndaj njeriut është rruga më e ndershme që duhet ndjekur edhe në këtë sallë, dhe çdo vendim duhet të ketë në qendër qytetarin dhe dinjitetin e tij.
Kjo legjislaturë është e re në përbërje, ku më shumë se gjysma janë ulur për herë të parë në këtë karrige. Të bashkëpunojmë forcat politike. Shqipëria është më afër Bashkimit Evropian se kurrë, dhe kjo legjislaturë duhet të tregojë me vepra se vendi është gati për t’u ulur si i barabartë mes vendeve anëtare.
Ky është një mision kombëtar, jo vetëm një aspiratë, dhe le të ngremë standarde të reja, duke treguar se dimë të bëjmë politikë të pjekur dhe bashkëpunuese, sepse kemi interesa të vendit për të mbrojtur”, tha Llajo.
Nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 mandate deputetësh, të cilët për shkak të numrit të lartë janë ulur edhe në anën e “djathtë” të Kuvendit për herë të parë. Partia Demokratike dhe aleatët kanë 50 mandate, 3 mandate ka Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia dhe nga një mandat secila, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.
Legjislatura XI mund të jetë ndër të fundit me një ndarje të tillë mandatesh, pasi kryeministri Edi Rama foli një ditë më parë për një riorganizim të jetës parlamentare gjatë këtij katërvjeçari, duke filluar nga “shtëpia” ku ajo zhvillohet dhe ndërtimi i një godine të re të Parlamentit deri te ndryshimi radikal në përfaqësimin politik, që numri total i ligjvënësve të zbresë nga 140 në 101./KP