Arbëri

Kuvendi formon komision të ri për rrugët, i vjetri s’mbajti asnjë takim

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka formuar një komision të ri për emërtimin e rrugëve në këtë komunë. Ky komision synon që të bëjë emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, shesheve dhe vendeve tjera publike në Fushë-Kosovë, ndonëse një komision të tillë ka qenë i formuar edhe në mandatin e kaluar të Kuvendit Komunal. Të njëjtit i ka përfunduar pa mbajtur asnjë takim.

Për shkak të kësaj, shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes në Fushë-Kosovë, Durim Hajra, thotë se janë mbledhur shumë kërkesa të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar ndryshimin e emërtimeve aktuale dhe riemërtimin e tyre.

“Si rezultat i një pune jo të mirë të komisioneve të mëhershme dhe si pasojë e mospunës së komisionit të mandatit të kaluar, janë akumuluar shumë kërkesa për ndryshim dhe shumë kërkesa për emërtim të rrugëve të reja. Por, ka edhe shumë raste që janë vendosur emra të rrugëve që nuk kanë ndonjë domethënie apo ndonjë vlerë”, ka thënë për KOHËN Durim Hajra.

Sipas tij, Komuna e Fushë-Kosovës ka mbetur prapa në këtë proces.

“Ne mendojmë që është e domosdoshme që sa më parë të fillojë punën komisioni i ri, dhe të shqyrtojë kërkesat dhe të punojë në emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve, pasi që jemi shumë mbrapa me këtë proces. Po ashtu, procesi i vendosjes së numrave është ndërprerë, e që në mendojmë që me të filluar punën, përmes anëtarit tonë në këtë komision të bëjmë presion që të vazhdojë edhe procesi i vendosjes së numrave dhe të fillojë punën me një intensitet të shtuar për shqyrtimin e kërkesave për emërtim dhe riemërtim të rrugëve”, ka thënë ai.

Gjatë mandatin të kaluar, kërkesë për riemërtimin e rrugëve kishte kërkuar edhe këshilltarja nga radhët e PDK-së, Aida Alimi.

“Ka disa muaj që është krijuar komisioni për shqyrtimin e ankesave për emërtimet e rrugëve, ku pjesë e tij jam edhe unë, por që deri tash nuk ka mbajtur asnjë takim. Unë nuk pres që të ketë rezultat një komision i tillë. Zyrtarët komunalë qëllimisht nuk duan që të funksionojë ky komision sepse nuk duan të bëhen ndryshime të emrave të rrugëve që i kanë vendosur politikisht”, ka thënë në 2019-ën, Aida Jashari-Alimi, e cila tash është edhe anëtare e Komisionit të ri për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve.

Se nuk kishte mbajtur takim komisioni gjatë mandatit të kaluar e kishte thënë edhe zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli.

“Lidhur me pyetjet e juaja ju informoj se komisioni i themeluar për shqyrtimin e ankesave për emërtimin e rrugëve ende nuk ka pas një takim andaj edhe nuk kemi ndonjë përgjigje”, i kishte thënë KOHËS Topalli.