Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shtatë vjet pas propozimeve, procesi i emërtimit të rrugëve në Podujevë mbetet i pafinalizuar

I papërfunduar ka mbetur procesi i emërtimit të rrugëve e rrugicave në Komunën e Podujevës qysh prej vitit 2015. Nga 1.184 emrat e propozuar për rrugët, 389 janë kontestuar nga qytetarët. Zyrtarët e shoqërisë civile në Podujevë kanë thënë se procesi ka qenë qysh nga fillimi i shoqëruar me paqartësi, jotransparencë dhe mungesë të kritereve të qarta. Në listë të emrave të propozuar kanë figuruar ata të baballarëve e gjyshërve. E për përmbylljen e procesit, zyrtarët komunalë kanë premtuar se shumë shpejt do të formohet komisioni i shqyrtimit të ankesave

Kanë kaluar shtatë vjet presje është miratuar lista me propozime për emra të rrugëve në Komunën e Podujevës, porse procesi ka mbetur i papërfunduar.

Prej 1.184 emrave të propozuar për rrugë e rrugica, 389 tashmë janë kontestuar nga qytetarët. E ankesat e paraqitura nuk janë shqyrtuar asnjëherë.

Nga shoqëria civile në Podujevë është bërë e ditur se procesi qysh nga fillimi është shoqëruar me paqartësi, jotransparencë dhe me mungesë të kritereve të prera për emrat e rrugëve.

Shemsi Jashari, drejtor ekzekutiv i rrjetit të organizatave “Demokracia Fillon Këtu”, ka thënë se shumica e emërtimeve për rrugët janë me emra familjarësh, për të cilët mungojnë të dhënat që tregojnë se çfarë kanë bërë dhe çfarë përfaqësojnë ata. Sipas Jasharit, deri më tash ka munguar vullneti si nga Qeveria e kaluar e ashtu edhe nga e tashmja për trajtimin e ankesave të qytetarëve.

“Ne si organizatë joqeveritare qysh atëherë kemi kërkuar që të monitorojmë procesin e emërtimit të këtyre rrugëve, por nuk është pranuar në atë kohë që ne të jemi pjesë e monitorimit. Dhe krejt çka kemi bërë ka qenë një monitorim nga jashtë. Do të thotë procesi është përcjellë me ankesa të shumta, ka pasur një mungesë të informimit, fillimisht të banorëve, për këtë proces, të sqarimit dhe mënyrës së procedurës të nominimit për emra të rrugëve e pastaj edhe vendosja e kritereve të qarta në bazë të të cilit kriter vendoset një emër për një rrugë të caktuar”, është shprehur ai. “Kemi parë shumë defekte në emërtim, sikur shumica e atyre që kanë qenë pjesë e komisioneve janë ndalë shumë afër familjarëve të tyre që të nominojnë për emra. Nuk është përfillur kriteri kryesor që të dihet CV-ja e atij që emërtohet për një emër rruge. Kush ka qenë ai, çka ka përfaqësuar. Por kanë shkuar më shumë në baza familjare. Do të thotë prej asaj kohe ne kemi parë që janë rreth 400 ankesa nga lagje të caktuara për emra që janë kontestues, e kjo ka pasuar mandej me një refuzim për lejimin e vendosjes së këtyre emrave të këtyre rrugëve”.

Edhe Kontestohen emrat e rrugëve në Podujevë Arbëri Kontestohen emrat e rrugëve në Podujevë

Premtim për përmbyllje të procesit

Jashari i “Demokracia Fillon Këtu” ka thënë se mosshqyrtimi i ankesave ka të bëjë edhe me proceset e shpeshta zgjedhore që kanë ndodhur në Komunën e Podujevës, pasi që çështja do të ngjallte debat midis banorëve.

“Por çka pritet dhe çka kërkohet prej qeverisjes së tanishme është që të fillojë edhe me emërimin e komisionit për trajtimin e ankesave të pranuara nga qytetarët, që të vendosë kritere të qarta mbi bazën e të cilave një emër mund të vendoset në një rrugë të caktuar. Kështu që, kur të kemi kritere të qarta, patjetër se do të kemi edhe mirëkuptim, por edhe një qartësi tek ata që i nominojnë emrat, për faktin që nuk është thjesht një emër rruge. Është diçka që përfaqëson një komunitet të tërë”, ka thënë ai.

Rexhep Zeka, drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, ka theksuar se qytetarët me të drejtë kanë shprehur pakënaqësi lidhur me emërtimet.

“SDK-ja gjatë monitorimit të Kuvendit Komunal po ashtu edhe ekzekutivit në Komunën e Podujevës ka vërejtur shumë pakënaqësi te qytetarët që kanë sjellë edhe ankesa me shkrim në drejtim të Komunës. Po ashtu edhe në vitet 2019-2020-2021 ka pasur ngritje të kësaj çështjeje edhe nga vetë asamblistët duke kërkuar formimin e një komisioni për shqyrtimin e këtyre ankesave”, ka thënë Zeka. “Vërehet një pakënaqësi, të themi me të drejtë, nga qytetarët për emërtimin e disa rrugëve. Pra, nuk kanë qenë të vendosura kriteret e duhura, siç mendojmë ne, përderisa ka kaq shumë pakënaqësi. Dhe po ashtu rekomandojmë që kësaj çështjeje t’i vijë fundi për arsye se është shumë i nevojshëm emërtimi i të gjitha rrugëve në Komunën e Podujevës”.

Ndërkaq zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se shumë shpejt do të formohet një komision që do të merret me trajtimin e ankesave të qytetarëve.

“Janë gjithsej 389 kërkesa që janë bërë diku përmbi 6 vjet që kanë kaluar dhe të cilat nuk janë shqyrtuar për shkak edhe të një komisioni nga ana e Kuvendit Komunal, i cili nuk është funksional. Së pari Drejtoria e Urbanizmit duhet ta iniciojë procedurën drejtuar zyrës së kryetarit, pastaj ai ta nisë procedurën drejt Kuvendit Komunal për hartimin dhe themelimin e një komisioni i përbërë nga anëtarët e Kuvendit Komunal dhe ai komision do t’i shqyrtojë këto kërkesa dhe ankesa të qytetarëve rreth emërtimit të rrugëve”, ka theksuar Zhitia. Ai është justifikuar se shtyrja që kjo të bëhet vitin e kaluar ishte bërë shkaku i afatit të shkurtër kohor të mandatit qeverisës dhe vëllimit të madh të punës, por ka shtuar se është në plan që sivjet të fillojë trajtimi i problemit.

Edhe Mbi 400 ankesa të qytetarëve të Pejës për emërtimin e rrugëve Arbëri Mbi 400 ankesa të qytetarëve të Pejës për emërtimin e rrugëve
Image

Nga emra baballarësh deri te “Pusi i Zanës”

Procesin e emërtimeve të rrugëve problemet e kanë shoqëruar në vazhdimësi, kjo pasi që anëtarë të Komisionit kishin thënë se në shumicën e lokaliteteve propozimet e banorëve kishin të bënin me emra baballarësh e gjyshërish. Njësoj kishte vepruar edhe Agim Veliu në kohën sa ishte kryetar i Komunës, si dhe vartësit e tij. Asokohe, për emrin e babait të Veliut ishin bashkuar dy rrugë (“Liria” dhe “Lordi Bajron”). E për babain e Durim Salihut, i cili atëherë ishte drejtor për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, ishte propozuar që rrugës që e mbante emrin e heroit Ilir Konushefci t’i vihej emri “Ramadan Salihu”.

Të dy rrugët janë ngjitas objektit të vjetër dhe atij të ri të Komunës së Podujevës.

Rrugës “Nuhi Gashi”, të babait të Veliut, i ishte vendosur edhe tabela. Derisa ajo e “Ramadan Salihut” ishte hequr, pas raportimeve të “Kohës Ditore”. Megjithëkëtë, emri i Ramadan Salihut i ishte vënë “Rrugës së xhamisë”, ani se për vetëm pak ditë. Kjo pasi që tabela ishte shkarravitur menjëherë dhe më pas edhe ishte hequr.

Burime të gazetës kanë thënë se përpjekje të këtillë kishte bërë edhe Hamdi Jaha, atëkohë drejtor për Inspektorat që synonte që një rruge në fshatin Sfeçël t’i vihej emri i babait të tij. Kishte kërkuar edhe që në fshatin Llaushë, dy rrugë të bartnin emrat e gjyshit dhe gjyshes të tij nga ana e nënës – Avdyl Dushkolli e Bahtie Osmani.

E para ishte hequr nga anëtarët e Komisionit, ndërsa dy të tjerat vazhdojnë të mbajnë këta emra.

Edhe Komuna e Podujevës synon të funksionalizojë trafikun urban, të premtuar më 2021 Arbëri Komuna e Podujevës synon të funksionalizojë trafikun urban, të premtuar më 2021

Ndërkaq për emrin e një rruge në fshatin Bellopojë – “Kadri H Avdiu” – të dhënat personale ishin të njëjtat me atë të ish-anëtarit të këtij Komisioni, që asokohe ishte edhe këshilltar komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Hajdar Avdiu.

Në këtë rrugë banon edhe vetë Avdiu. Banorët e fshatit kanë thënë se nuk mbajnë mend që dikush nga kjo familje ta ketë pasur emrin Kadri. Vetë Kadri Avdiu i kishte thënë gazetës gjatë shtatorit të 2017-s të mos jetë ai personi, emrin e të cilit e mban rruga e fshatit. Banorët kanë pasur vërejtje edhe për emërtime të tjera, si ai “Pusi i Zanës” në Bajçinë.