Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendet e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin-Potokut votojnë për tërheqjen nga Asociacioni i Komunave

kuvendi mitrovice

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka miratuar sot vendimin për tërheqjen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës, me 12 vota për dhe dy vota kundër. Aty është anuluar edhe vendimi i Kuvendit Komunal të mëhershëm që kishte shumicë shqiptare, me të cilin ishin emëruar 87 rrugë.

Në seancën e kaluar, të mbajtur më 18 dhjetor, me kërkesë të kryetarit të sapozgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, ishte miratuar kërkesa për daljen e komunës nga AKK. Megjithatë, sot u votua sërish për të njëjtën kërkesë, pasi ajo ishte kthyer nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me arsyetimin se “procedura nuk kishte qenë si duhet”.

Zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Aida Doli Ferati, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet vendimi për tërheqje nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke thënë se ky veprim nuk po bëhet në interes të qytetarëve.

“Nuk e di nëse ju realisht e dini se si funksionon ky Asociacion. A e dini çfarë të mira i sjell kjo në komunë nga ky asociacion? A e dini sa trajnime dhe sa çështje i merr komuna… dhe rrjedhimisht atë që e merr Komuna si ekzektuiv e pranojnë edhe qytetarët”, deklaroi Ferati.

Ajo theksoi se vendimi po shtyhet më shumë për arsye politike, duke e konsideruar të papranueshme që të përdoret retorika e “të mirës së qytetarëve”, ndërkohë që, sipas saj, veprimet nuk janë në atë drejtim.

Edhe Veriu del nga Asociacioni i Komunave të Kosovës Arbëri Veriu del nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

“Ju nuk e keni për qytetarët, ju e keni politikë…”, u shpreh ajo, duke shtuar se pretendimet për shkelje procedurash nuk qëndrojnë vetëm te njëra palë.

Asamblisti i iniciativës “Veriu për të gjithë”, Marko Jakshiq, tha se mbështet vendimin dhe procedurat e ndjekura.

“Unë mbështes vendimin e marrë dhe procedurat e ndjekura, megjithatë ka paradokse kur disa komunitete kundërshtohen nga shumica. Nëse qytetarët duan të jenë pjesë e asociacioneve që ndihmojnë komunitetin, kjo mund të shqyrtohet. Vendimet duhet të merren me kujdes dhe duke respektuar mendimin e të gjithë qytetarëve”- tha ai.

Gjatë seancës së sotme në Kuvendi Komunal të Mitrovicës së Veriut është miratuar edhe propozim-vendimi për shfuqizimin e Vendimit për miratimin e listës për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave të tjera publike në këtë komunë, i cili ishte marrë nga përbërja e kaluar e kuvendit, më 25 gusht të vitit të kaluar, kur ishin ndryshuar emrat e 87 rrugëve.

Për shfuqizimin e këtij vendimi votuan 12 asamblistë, ndërsa dy ishin kundër.

Edhe Komunat në veri votojnë për t'u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës Arbëri Komunat në veri votojnë për t'u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Marko Jakshiq nga iniciativa “Veriu për të gjithë”, gjithashtu theksoi se vendimi ishte marrë pa konsultime dhe se disa emra rrugësh ishin të papërshtatshëm, duke kërkuar rikthimin e gjendjes në mënyrë që të mos dëmtohej asnjë qytetar, pavarësisht komunitetit.

Jakshiq gjithashtu kërkoi që procedura të bëhet më me kujdes në mënyrë për të shmangur refuzimin e vendimit nga Ministria.

Asamblisti nga Partia Demokratike e Kosovës, Emir Azemi tha se emërtimi i rrugëve ku jetojnë komunitete të ndryshme është i ndërlikuar dhe se problemi nuk është vetëm i serbëve, por edhe i shqiptarëve.

“E kuptoj atë që po thoni, se një rrugë ku ka serbë është e vështirë të emërtohet me një emër shqiptar, por të njëjtin problem e kemi pasur edhe ne shqiptarët. Në rrugën ku unë banoj janë 23 shqiptarë të vrarë, ndër ta edhe vëllai im dhe rruga është thirr “Nemaninja””, tha Azemi.

Edhe Asamblistëve serbë u pengon mbishkrimi ku shprehet dashuria për Mitrovicën Arbëri Asamblistëve serbë u pengon mbishkrimi ku shprehet dashuria për Mitrovicën

Në të njëjtën ditë, edhe Komuna e Zubin Potokut ka miratuar vendimin për tërheqjen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës (AKK).

Këtë e konfirmoi për KosovaPress asamblisti nga rradhët e Vetëvendosjes, Vedat Mehmeti, i cili tha se për këtë vendim është votuar dhe vetëm dy asamblistë kanë qenë kundër.