Vendimi është marrë ex officio dhe është i bazuar në kërkesën e 9 deputetëve të Listës Serbe (LS) dhe të deputetit goran, Adem Hoxha, lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë. Masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga premtja, do të zgjasë deri më 30 shtator, kur më së largu do të pritet një vendim përfundimtar për çështjen. Këtë vendim, në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë kualifikuar të “njëanshëm” ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikë ka pasur për LVV, të cilën e ka akuzuar për populizëm
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit, nëpërmjet së cilës u ka ndaluar deputetëve që të ndërmarrin çfarëdo veprimi apo procedure për formimin e Qeverisë së re.
Vendimi është marrë ex officio dhe është i bazuar në kërkesën e 9 deputetëve të Listës Serbe (LS) dhe të deputetit goran, Adem Hoxha, lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë. Masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga premtja, do të zgjasë deri më 30 shtator, kur më së largu do të pritet një vendim përfundimtar për çështjen.
"Gjykata Kushtetuese njëzëri vendosë - TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve, masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë; TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025”, thuhet në vendim.
Kjo masë është kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka bërë thirrje që të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re. Në këtë parti e kanë paralajmëruar për të dielën mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën pritet që të propozohet mandatari për formimin e Qeverisë.
Por në ankesën e Listës Serbe, të deponuar në Gjykatë, është kërkuar që të vendoset masë e përkohshme dhe është shprehur drojë që në rast se deputetët “vazhdojnë me formimin kundërkushtetues të institucioneve” do të cenohet rendin juridik e demokratik në Kosovë.
Pranë Kushtetueses, Lista Serbe e ka kontestuar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet, vendimin për zgjedhjen e nënkryetares nga grupi multietnik, Emilja Rexhepi, procedurën e tentimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb dhe të gjitha vendimet e nxjerra në seancën konstituive të 26 e 28 gushtit. Në këtë parti të serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë argumentuar se sikurse LVV-ja që si fituese e zgjedhjeve e ka pasur të drejtën për ta propozuar kryetarin Kuvendit, edhe Lista Serbe, si fituese e shumicës së votave të serbëve të Kosovës, ka të drejtë ta nxjerrë emrin për nënkryetarin serb. Në ankesë, ky subjekt ka kërkuar që Gjykata të konstatojë se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke e veçuar votimin për nënkryetarët nga komunitetet dhe duke e ftuar grupin multietnik para komunitetit serb që ta bëjë propozimin. Tjetër kërkesë e Listës Serbe është që të shpallet kundërkushtetuese zgjedhja e Emilja Rexhepit nënkryetare si dhe që Kushtetuesja ta urdhërojë Bashën ta përsërisë procedurën e votimit për nënkryetarët nga komunitetet.
“Parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që të urdhërojë Kryetarin e Kuvendit të zbatojë kthimin në gjendjen e mëparshme, me të cilin do të anulohen veprimet kundërkushtetuese të Kryetarit të Kuvendit të përshkruara më sipër dhe të urdhërojë që në pajtim me sigurinë juridike të përsëritet procedura e votimit për nënkryetarët nga radha e komuniteteve jo-shumicë në një votim të unifikuar”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Vendimi i Gjykatës të premten i është adresuar Kuvendit, e kryetari i tij, Dimal Basha, ka njoftuar se përmbajtjen do t’ua përcjellë të gjithë deputetëve.
“Sot kam pranuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme, në rastin nr. KO265/25. Menjëherë kam autorizuar administratën që të njëjtën t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Basha.
E pas kësaj, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë shprehur kritikë për vendimin, tek e kanë kualifikuar të “njëanshëm”.
“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë, duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, është thënë në reagimin e LVV-së të postuar në Facebook.
Në këtë partin kanë theksuar se në tekstin 15-faqesh të Kushtetueses për arsyetimin e masës “është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së nënkryetarit”.
“Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe”, thuhet në reagimin e LVV-së, teksa është shtuar se Lista Serbe dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend “nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.
E kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, kritikë ka pasur për Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e ka akuzuar për populizëm.
“Ja ku na ka sjellë popullizmi. Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës. Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?! U thamë. Nuk dëgjuan. U treguam. Nuk panë”, ka thënë Abdixhiku, deputetët e partisë të së cilit kanë marrë pjesë në votimin e Rexhepit për nënkryetare nga grupi multietnik ani se procedura e votimit është ndarë nga ajo e nënkryetarit serb. Në votimin e nënkryetarit nga komuniteti serb deputetët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë, me arsyetimin se procedura është kundërkushtetuese. E atë për Rexhepin e kanë kualifikuar si shkarje.
Zgjedhja e nënkryetarit serb nuk është arritur, pasi që Lista Serbe ka këmbëngulur që për këtë post ta propozojë deputetin, Slavko Simiq, ani se ai nuk ka arritur t’i siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit. Pasi kjo parti nuk ka pranuar që ta propozojë një kandidat tjetër, Basha ka vendosur që kandidati të nxirret me short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post është propozuar edhe deputeti i partisë serbe “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, i cili aktualisht është ministër në detyrë në qeverinë e Kurtit. Por as Rashiqi nuk ka marrë vota të mjaftueshme në tri raunde votimi.
E pasi që janë konsumuar të gjithë deputetët serbë, Basha në mënyrë të njëanshme e ka mbyllur seancën konstituive dhe ka deklaruar se Kuvendi është konstituuar.
Seanca konstituive për legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit ka nisur më 15 prill. Pas afro pesë muajsh bllokadë, dy aktgjykimesh të publikuara nga Kushtetuesja dhe një mase të përkohshme, Basha i LVV-së është zgjedhur kryetar Kuvendi më 26 gusht. Më pas, nëpërmjet votimit të përbashkët janë zgjedhur edhe nënkryetarët nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike (PDK) dhe Kujtim Shala nga LDK-ja.
Ngërçi politik ka ndodhur pasi asnjëra nga subjektet politike nuk ka fituar vota të mjaftueshme për ‘ië formuar vetë institucionet dhe në mungesë të një marrëveshjeje politike.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë Kurti ka fituar 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit. PDK-ja ka dalë parti e dyta me 24 vende të siguruara në Kuvend, LDK-ja e treta me 20, e pasuar nga Lista Serbe me 9 deputetë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.
Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.