Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kushtetuesja me vendimin e marrë pas kërkesës së dorëzuar nga Lista Serbe, ka vendosur t’u ndalojë deputetëve çdo veprim.
Gjithashtu ka ndaluar edhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.
“I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Në vendim thuhet se masa e përkohshme hyn në fuqi sot, 5 shtator, dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2025.
Lista Serbe pati njoftuar se ka dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, nga radhët e komuniteteve pakicë gjatë seancës konstituive.
Asnjë nga 9 deputetët e kësaj partie nuk ka marrë shumicën e votave në Kuvend për t’u zgjedhur nënkryetar. E votat nuk i mori as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, që nuk i takon këtij grupi.
Paraprakisht, kryeparlamentari Dimal Basha ndau procesin e votimit për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve.
E kjo çështje është kontestuar si jokushtetuese nga Lista Serbe.
Pavarësisht dështimit për të zgjedhur një nënkryetar serb, Basha e ka shpallur të konstituuar Kuvendin.
Lajmi në përditësim ...
VV: Kushtetuesja mbajti anë me masën e përkohshme
Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar mbajtje ane dhe në kundërshtim me funksionalizimin e Kuvendit vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten se ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, me të cilën ndalon çdo veprim të deputetëve për formimin e Qeverisë. Lista Serbe pati kërkuar që Gjykata ta shpallë kundërkushtetuese zgjedhjen e Emilja Rexhepit nënkryetare nga grupi multietnik dhe ta urdhërojë kryeparlamentarin që ta përsërisë votimin e zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga komunitetet, në një procedurë të përbashkët.
“Gjykata Kushtetuese pezulloi Kuvendin për 25 ditë për ankesën e Listës Serbe. Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe. Çdokush do të pyeste me të drejtë pse u pa e nevojshme kjo masë e pse i nevojitet Gjykatës Kushtetuese 25 ditë pezullim i punës së Kuvendit pas një kërkesë të Listës Serbe? Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, thuhet në reagimin e VV-së.
Vetëvendosje ka thënë se me këtë pauzë numri i ditëve të pritjes së vendimeve të Kushtetueses po shkon në 112.
Kjo parti ka thënë se çdo interpretim që çon në drejtim të dhënies së ekskluzivitetit për propozim dhe zgjedhje të nënkryetarit nga radhët e Listës Serbe, do t’ia mundësonte kësaj partie të drejtën e vetos.
“Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit. Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe. Kjo parti, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, përfundon reagimi i VV-së.
Basha pranon vendimin e Kushtetueses, autorizon administratën ta shpërndajë të deputetët
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se kryetari Dimal Basha ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme
“Kryetari Basha ka autorizuar administratën që të njëjtin t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për konsituimin e Kuvendit duke ndaluar deri më 30 shtator, çdo veprim të deputetëve dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.
Abdixhiku për masën e përkohshme: Masë tjetër, bllokadë tjetër. Padituria kushton
Kryetari i Lidhjes Demorkatike të Kosovës (LDK, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme për konsituimin e Kuvendit duke ndaluar deri më 30 shtator, çdo veprim të deputetëve dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë.
Ai e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për popullizëm.
“Ja ku na ka sjellë popullizmi. Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës. Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?! U thamë. Nuk dëgjuan.U treguam. Nuk panë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai i ka quajtur përfaqësuesit e partive në pushtet shkatërrues të shtetit e shkelës të Kushtetutës.
“Kështu ndodhë kur shkatërruesit e shtetit, shkelësit e 48 herë Kushtetutës rresht, për synim nuk kanë atdheun, por kauzën elektorale për një votë a dy. Në mungesë të ideve, në mungesë të projekteve, në përballje me afera korruptive që bërtasin gjithandej hajni, vreri i tradhtareve e patriotëve në moçalin e madh të pështymave bëhet krejt i lehtë. Gojën plot Serbi - është lehtë. Punë për Kosovën është vështirë për ata që veç karrigen kanë synim”, ka shkruar Abdixhiku.
“LDK është e saktë sepse e kupton shtetin. Që nga shkurti e deri më sot, çdo pozicion i ynë politik kishte kuptim shtetar e kushtetues. Përballja me popullizmin nuk është e lehtë, por mbetet e paalternativë. Besimi ynë në Republikë e demokraci do të na udhëheqë. Koha e shkatërruesve të shtetit duhet të mbarojë. Koha e shkatërruesve të shtetit po mbaron”, ka shkruar tutje ai.