Arbëri

Basha thotë se Kushtetuesja nuk ka bazë për masë të përkohshme

Dimal Basha në konferencë për media

Kryekuvendari i Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka bazë për të vendosur masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe. 

Basha në intervistë për “RTK” tha se Kushtetuesja e ka dëshmuar herën e fundit, kur i dha të drejtë Emilija Rexhepit. 

“Unë nuk mendoj se Gjykata Kushtetuese ka rast. Kjo u dëshmua herën e fundit, kur e fitoi një të drejtë kushtetuese zonja Emilija Rexhepi. Një e drejtë kushtetuese është vendimi i Kuvendit, tani me Nenad Rashiq dhe zonja Emilija Rexhepi si nënkryetarë të Kuvendit. Kjo pas shterimit të të gjitha opsioneve që ofron rregullorja e Kuvendit, dhe do të ishte komplet absurde me mendu që t’i refuzohej e drejta e një nënkryetari që i takon komunitetit serb, i cili përfaqëson komunitetin serb dhe është në linjë me rregulloren e punës së Kuvendit. Prandaj, unë nuk besoj se do të ketë masë të përkohshme, megjithatë do të dërgojmë komentet tona. Por, Gjykata do ta injorojë këtë plotësisht, sepse nuk ka asnjë argument të vetmin”, tha Basha. 

Ai ka folur edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, i ka numrat për ta formuar qeverinë. 

“A i kanë numrat? Kjo varet nga mandatari që është kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe afati është deri të dielën, kështu që duhet ta kalojmë deri të dielën për të parë se kur do të thirret seanca dhe si do të procedohet”, tha ai. “Unë vazhdoj me besu që partitë shqiptare duhet ta gjejnë vullnetin që të bashkëpunojnë mes veti. Herët a vonë këto parti do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, sepse nuk kanë ku e qojnë njëra-tjetrën . Kurrë nuk mendoj që një individ i cilitdo subjekt në këtë Republikë do me qenë pengesë që shteti me ec përpara. Këtë e kam bindje. Unë e di që në këtë Republikë me vite kanë luftuar për karrige. Mua nuk më impresionon asnjë pozitë”, tha ai .

Duke shtuar se me vendos subjekti dhe “me thanë që për hir të interesave kombëtare edhe nëse subjekti im kryesia nesër mblidhet thotë kjo është marrëveshja”, ai do të largohet.

“Edhe para meje kanë lëshuar pozita shumë më të larta, as nuk duhet me qenë temë kjo që për një karrige një njeri e banë një luftë dhe kallet Kosova”, tha ai.