Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarë të Komisionit për administratë publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal, për sulm brutal ndaj pavarësisë së Komisionit të Pavarur për Media (KPM).
“Ajo çfarë ka bërë sot Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend me anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media është njëjtë sikur t’i ftosh gjyqtarët dhe të ju kërkosh llogari për vendimet e tyre. Është sulm brutal i pavarësisë së një institucioni që sipas Kushtetutës është i pavarur”, ka shkruar Kusari në Facebook, pas përfundimit të takimit të Komisionit parlamentar ku të ftuar për raportim ishin anëtarët e KPM-së.
Ajo është shprehur e tronditur me siç ka thënë, përkeqësimin kaq të shpejtë të lirisë së medias në Kosovë.
Ajo ka thënë se është e shqetësuar për sigurinë fizike të anëtarëve të KPM-së.
“Por por por, shqetësimi im kryesor ka të bëjë me sigurinë fizike të anëtarëve të KPM-së. Gjuha e përdorur nga ana e deputetëve javën e kaluar dhe sot (ndonëse sot gjuhë më e zbutur) është nxitje e dhunës ndaj anëtarëve. Shpresoj që të mos iu ndodhe asgjë”.
Anëtarët e KPM-së për të dytën herë janë paraqitur në Komisionin parlamentar ku janë përgjigjur lidhur me vendimin e tyre për kthimin e kanaleve të “Arena Sport” në platformat kabllore të Kosovës.
Deputeti i Vetëvendosjes, Nijazi Isaku, ka kërkuar sërish shkarkimin e Bordit të KPM-së, pasi sipas tij, ky bord “nuk ka më kredibilitet të vazhdojë ta udhëheqë KPM-në”.
Ndalimi i kanaleve të “Arena Sport” kishte ndodhur pas transmetimit të spotit ku lavdëroheshin terroristët serbë që e organizuan sulmin në Banjskë, e në të cilin u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.
Anëtarët e KPM-së e kanë arsyetuar vendimin për kthimin e këtyre kanaleve në platformat kabllore të Kosovës, me kërkimfaljen e operatorëve, garancinë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe kërkesën e qytetarëve për ta kthyer transmetimin e këtyre kanaleve.