Anëtarët e Forumit për Integritetin e Informacionit nëpërmjet një letre publike të enjten kanë kërkuar që Komisioni Parlamentar për Media ta ndërpresë praktikën e cenimit të pavarësisë së punës së anëtarëve të KPM-së. Reagimi erdhi pasi deputetët në mbledhjet e fundit kanë kërkuar shkarkimin e Bordit me justifikimin se nuk e ka kredibilitetin për ta vazhduar drejtimin e KPM-së.
Mbledhja e ardhshme e këtij komisioni do të mbahet të premten. Kërkesa për shkarkim erdhi gjatë diskutimeve për kthimin e kanaleve të “Arena Sport”-it në rrjetet kabllore, ashtu si edhe në takimin paraprak. Këto kanale u patën ndaluar nga KPM-ja pas transmetimit të spoteve me përmbajtje lavdëruese për autorët e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në mbledhjet e shkuara u kërkua edhe hetim parlamentar, teksa përfaqësuesit e KPM-së u përballën sërish me pyetjet e deputetëve të pushtetit nëse kanë pasur presion për vendimin.
Anëtarët e Forumit për Integritetin e Informacionit janë shprehur të shqetësuar dhe kanë dënuar ndërhyrjen e Komisionit në pavarësinë e KPM-së.
“Organizimi i dëgjimeve mbikëqyrëse me qëllim analizimin, diskutimin dhe kontestimin e vendimeve të anëtarëve të KPM-së, ka marrë karakter hetimor dhe disiplinues. Gjuha kërcënuese dhe linçuese, siç janë akuzat që iu janë bërë për tradhti kombëtare dhe korrupsion janë të papranueshme, meqë rrezikojnë sigurinë e tyre fizike dhe integritetin profesional, si dhe nuk përkojnë me gjuhën parlamentare”, thuhet në reagim. “Ne kërkojmë nga Komisioni Parlamentar për Media që ta ndërpresë menjëherë këtë praktikë të cenimit të pavarësisë së punës së anëtarëve të KPM-së, fillimisht duke anuluar mbajtjen e dëgjimit mbikëqyrës të radhës për këtë çështje”.
Letra është nënshkruar nga 10 anëtarë të këtij Forumi që është themeluar si mekanizëm joformal me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në dhjetor të 2021-s, për ta lehtësuar dialogun e brendshëm midis aktorëve kyç për zgjidhjet e mundshme për problemet e ambientit medial dhe të informacionit në Kosovë.
Publikimet dhe reagimet e Forumit për Integritetin e Informacionit, nuk reflektojnë me doemos pikëpamjet dhe pozicionet e NDI-së dhe USAID-it.