Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave për të dytën herë janë paraqitur në Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ku janë përgjigjur lidhur me vendimin për kthimin e kanaleve të “Arena Sport” në platformat kabllore të Kosovës.
Deputeti i Vetëvendosjes, Nijazi Isaku, ka kërkuar sërish shkarkimin e Bordit të KPM-së duke theksuar se ky bord “nuk ka më kredibilitet të vazhdojë ta udhëheqë KPM-në”.
“Shkarkim dhe vetëm shkarkim”, ka thënë ai, ndërsa ka pyetur disa herë se pse është ndryshuar vendimi për kanalet “Arena Sport” nga ai i pari i 3 tetorit.
Isaku ka lexuar vendimin e shkurtit të KPM-së që e ndalonte transmetimin e kanaleve të “Arena sport” – ndalimi i tyre pati ndodhur pas transmetimit të videomesazheve ku lavdëroheshin terroristët serbe që e organizuan sulmin në Banjskë.
“Askund nuk kam parë një afat se kur duhet shfuqizuar ky vendim. Askush nuk pash në dispozitiv të vendimi që ky vendim është pezullim i përkohshëm. Të gjithë vendi e di se më 3 tetor është atakuar siguria nacionale. Vendimi është asisoj i 3 tetorit, çka ndryshoi? Në vendim nuk ka as afat, as pezullim”, ka theksuar ai.
Kryetari i Bordit, Jeton Mehmeti, është përgjigjur duke lexuar rregulloren e KPM-së sipas së cilës një vendim “hyn në fuqi dhe mbetet në fuqi deri më ditën kur KPM e sheh që ka një ndryshim të rrethanave, të shkeljes”.
“KPM më 6 shkurt ka bërë shfuqizim të vendimit të tij të parë, ka pezulluar vendimin e parë. Tani fjala pezullim është nen nga sanksionet që ligji për KPM i jep të drejtë këtij organi që ta vendosë aty ku e sheh të nevojshme. KPM mund të kërkoj pezullimin e një pjese ose gjithë programit e të licencuarit për një periudhë kohore”, ka sqaruar Mehmeti më tej, shpjegim që sërish është kundërshtuar nga deputeti i VV-së.
Isaku e ka lexuar para të pranishmëve vendimin.
“Po e lexojmë vendimin e juaj të 3 tetorit, dispozitivi është fuqia e vendimit: ‘Urdhërojmë operatorët kabllorë që të largojnë nga transmetimi kanalet e Arena Sprot me qëllim të parandalimit të përmbajtjes programore të cilat cenojnë interesin nacional dhe sigurinë e përgjithshme të Republikës së Kosovës’. Nuk ka pezullim, mos u thirr në lojë fjalësh, jo e kemi një vendim, një pezullim. Tregoma nenin këtu, ku thotë se ky vendim është pezullues”, ka pyetur Isaku.
E, Mehmeti ka thënë se vendimi për rikthimin e kanaleve nuk ka qenë i menjëhershëm e as i thjeshtë.
“Fjala interes nacional dhe siguri nuk i kemi shpikur, por e thotë rregullorja. Në gjykimin tonë kemi pa që ato videomesazhe në atë kohë, pas sulmit në Banjskë, janë mesazhe që kontribuojnë në cenimin e interesit nacional përmes televizionit dhe ne jemi kompetent për të ndaluar cfarëdo dëmi që mund të vjen përmes televizionit. Ka qenë vendim i menjëhershëm që të largohen ato që të mos shkaktohet dëm më i madh sepse ato mesazhe mund të kenë çuar në dëm më të madh. Nëse flitni për 3 tetorin, të gjithë kemi qenë të këtij vendimi. Gjykata Komerciale ka thënë se vendimi i KPM-së është i drejtë. Pas katër muajve kemi marrë vendim për shfuqizim të saj. Nuk është aq e thjeshtë deri te shfuqizimi, nuk ka ndodhë brenda një javë”, ka thënë Mehmeti.