Arbëri

Shoqëria civile dënon ashpër “ndërhyrjen politike në punën e KPM-së”

Ndërhyrje politike në punën e Komisionit të Pavarur të Mediave e ka vlerësuar shoqëria civile mbledhjen e sotme urgjente të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal. Në reagim, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me disa organizata, e dënojnë ashpër “sjelljen e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të premten u thirr një mbledhje urgjente, në të cilën u kërkua shkarkimi i Bordit të KPM-së shkaku i rikthimit të transmetimit të kanaleve “Arena Sport”, të cilat ishin ndaluar pasi kishin dhënë mesazhe glorifikuese për terroristët e Banjskës.

Sipas reagimit të shoqërisë civile, në këtë mbledhje nuk ishte përcaktuar agjenda se çfarë do të diskutohej.

“Ne të poshtëshënuarit kemi përcjellë me shqetësim të thellë mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës të mbajtur sot. Mbledhja ishte ftuar nga katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në të të ftuar ishin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme nuk ishte përcaktuar agjenda e takimit dhe as nuk iu ishte komunikuar ndonjë agjendë anëtarëve të KPM-së, të cilët ishin ftuar në raportim, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të interesuar lidhur me monitorimin e kësaj mbledhjeje të Komisionit”, thuhet në reagimin e tyre.

Shoqëria civile ka thënë se deputetët e VV-së ushtruan presion publik të paprecedentë ndaj anëtarëve të KPM-së, që siç thonë ata, është në kundërshtim me të gjitha standardet ndërkombëtare.

“Në mbledhjen që zgjati rreth katër orë, deputetët e LVV-së në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për KPM, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që promovojnë pavarësinë institucionale të mekanizmave të tillë, ushtruan presion publik të paprecedent ndaj anëtarëve të KPM-së lidhur me miratimin e vendimeve që hyjnë në fushëveprimtarinë e këtij institucioni të pavarur kushtetues. Dëgjimi “mbikëqyrës” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës i përcjellur me sulme dhe etiketime ndaj anëtarëve të KPM-së, përveç se ka shkelur pavarësinë institucionale, po ashtu ka cenuar edhe integritetin dhe dinjitetin personal të anëtarëve të këtij institucioni kushtetues. Kjo sjellje e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së”, vijon reagimi.

Sipas tyre, mbledhja e sotme e Komisionit ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë politike nga VV-ja në pavarësinë e KPM-së.

“Dëgjimi “mbikëqyrës” ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre. Kjo ndërhyrje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga ana e VV-së të këtij institucioni posa të kompletohet korniza ligjore që tashmë është në Kuvend. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, anëtarët e KPM-së i marrin vendimet në mënyrë të pavarur dhe duke u bazuar në profesionalizëm, njohuri dhe bindje të tyre. Vendimet e KPM janë subjekt i të drejtës për ankesë përfshirë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet juridike në gjykatë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj”, thuhet në reagim.

Shoqëria civile i ka bërë thirrje VV-së që t’i ndalë sulmet që cenojnë pavarësinë e KPM-së.

“Duke i ofruar mbështetje të plotë anëtarëve aktualë të KPM-së në ruajtjen e integritetit dhe pavarësisë së këtij institucioni, po ashtu ftojmë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i ndalin sulmet e tilla që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni dhe të përmbahen nga komentimi publik apo në Kuvend i vendimeve të tij. Po ashtu, i bëjmë thirrje Komisionit për Media që projektligjin problematik për KPM-në, i cili parasheh kontroll shtetëror për media, ta trajtojnë duke adresuar kërkesat e shoqërisë civile dhe standardet e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë”, përfundon reagimi i përbashkët i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Flutura Kusarit, Lëvizjes FOL, Institutit të Kosovës për Drejtësi, Çohu-t, INPO-s, Qendrës për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, Institutit të Prishtinës për Studime Politike– PIPS dhe Institutit Musine Kokalari.