Zgjedhjet lokale

Kërkohet hetim për parregullsi e manipulim të votave

Dy anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor kanë kërkuar që organet e rendit të nisin hetime në disa komuna lidhur me dyshimet për manipulim të qëllimshëm të votave në zgjedhjet e 12 tetorit. Ata, si një prej parregullsive i kanë përmendur rastet e ndërrimit të vendvotimeve, e që, sipas tyre, mund të kenë ndikuar në rezultat zgjedhor

Dyshime për parregullsi dhe për manipulim me vota gjatë procesit zgjedhor të 12 tetorit kanë shprehur të mërkurën anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ilir Gashi, i cili është anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), ka shprehur shqetësim për shkeljet e evidentuara në një vendvotim në fshatin Belinc të Komunës së Shtimes. Për këtë rast, ai ka kërkuar që organet e rendit dhe të drejtësisë të nisin hetime.

“Bazuar në të dhënat e paraqitura, ekzistojnë indikacione të qarta për shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si ‘Treni bullgar’, gjetjen e një fletëvotimi fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Këto elemente përbëjnë dyshime serioze për kryerjen e veprave penale që cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Nëse këto dyshime vërtetohen, ky rast nuk guxon të mbetet në heshtje dhe pa pasoja ligjore, sepse çdo veprim që cenon vullnetin e qytetarëve përbën rrezik serioz për procesin demokratik në vend”, ka shkruar ai të mërkurën në një postim në Facebook.

Dyshime për manipulim të rezultatit zgjedhor ka ngritur edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Muharrem Nitaj, i cili është nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ai i ka kualifikuar shqetësuese qindra rastet e ndërrimit të vendvotimeve.

“Janë disa komuna që e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri, por rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga persona, që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune, as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë. Çështja e ndërrimit të vendvotimeve, posaçërisht kalimi i votuesve prej një komune në një komunë tjetër, duhet të evidencohet si problem serioz i këtyre zgjedhjeve në mënyrë që të mos përsëritet në zgjedhjet e radhës”, ka shkruar ai në Facebook.

Për dyshimet e ngritura në Junik, hetime ka kërkuar edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj. 

“Juniku, si një zonë zgjedhore, ka shumë qytetarë nga qytetet e tjera të cilët në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut. Kjo përbën vepër penale dhe si e tillë duhet urgjentisht të hetohet. KQZ duhet ta publikojë listën zgjedhore të kësaj komune, pasi kjo është shumë e qartë si skemë e dominimit numerik kriminal”, ka shkruar Haradinaj.

Një ditë më parë, Prokuroria Themelore në Mitrovicën e Jugut ka bërë të ditur se ka nisur grumbullimin e informatave për dyshimet se ka pasur keqpërdorim të votave në fshatin Shipol.