Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se sot (e mërkurën) ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Obiliq lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas njoftimit, pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim.
Në Obiliq më së shumti dallime në vota kanë pasur kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje. Pas rinumërimit, Gazmend Krasniqit iu hoqën 362 vota, ndërsa Adelina Graincës 295.
Në partitë e tjera ka pasur ndryshime të vogla.
Gjatë ditës së sotme, edhe në Pejë disa komisionerë janë intervistuar mbi dyshimet për manipulime me vota.
Për manipulime me vota, deri tash në Prizren janë në paraburgim 28 persona, ndërsa në Malishevë 15.
Veprime hetimore janë ndërmarrë edhe në komunat e tjera.