Arbëri

Kurtishi: Deri në 15% rritje të rasteve me kancer krahasuar me vitet paraprake

Ilir Kurtishi

10 deri në 15 për qind krahasuar me vitet paraprake janë rritur rastet e reja me kancer, ndërsa shtim i këtyre rasteve, mbetet sfidë për Klinikën Onkologjike. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i klinikës, Ilir Kurtishi.

Kurtishi ka bërë të ditur se gratë më shumë preken nga kanceri i gjirit, ndërsa burrat me atë të mushkërive. Sfidë për këtë klinikë mbetet numri i vogël i infermierëve.

“Kemi rritje të numrit të rasteve diku 10 deri 15 për qind në krahasim me vitet paraprake. Kjo mbetet sfiduese për ne, sepse një përqindje e tillë e rasteve me tumore është një sfidë edhe për Onkologjinë e vetë shtetin e Kosovës. Kemi të bëjmë me një problematikë e cila është në të gjitha vendet e rajonit, në Evropë e botë e së bashku me sëmundjet kardiovaskulare janë shkaktarët kryesorë të mortalitetit në botë”, ka thënë Kurtishi. “Vitin e kaluar kemi pasur 450 gra me kancer të gjirit, dhe kemi pasur rreth 250 deri 300 burra me kancer të mushkërive”, ka thënë Kurtishi.

Kurtishi ka treguar edhe për rastet që janë trajtuar jashtë vendit për çka ka thënë se çdo vit e më pak referohen për tu trajtuar jashtë.

“Këtë vit ne kemi pasur shumë pak vetëm dy rekomandime dhe ato njëra ka qenë për raste pediatrik dhe një rast tjetër i rekomanduar nga neurokirurgjia për një rast të veçantë të mjekimit dhe ky numër është ulur nga viti në vit. Me aktivizimin e dy observatorëve të rinj ne e kemi ulur këtë numër në mënyrë maksimale dhe ndërkohë do të vazhdojmë me teknika të reja dhe kjo do të rrisë edhe më shumë kualitetin e shërbimeve radioterapike dhe ulë në masë të konsiderueshme numrin e referencave jashtë vendit.”, ka thënë ai.

Kurtishi foli edhe për vetëdijesimin e popullatës karshi sëmundjeve të tilla.

“Ka një vetëdijesim shoqëror pak më të mirë, sidomos te tumoret e gjirit dhe tumoret e zorrës së trashë por kjo nuk mjafton sepse duhet të bëhet edhe më shumë në kuptimin që sëmundjet duhet ti zbulojmë sa më herët tumoret në stadin e parë dhe të dytë në një përqindje gati 50% në krahasim me vitet e mëparshme”, ka thënë ai.

Onkologu Kurtishi ka folur edhe për sigurimin e barnave, për të cilën ka thënë se aktualisht qëndrojnë mirë.

“Jemi të furnizuar mirë nga barnatorja qendrore e SHSKUK-së dhe përpos disa preparateve të cilat i kemi pasur mungesë vitet e fundit kemi pasur furnizim gati mbi 90 për qind. Me sigurimin e disa barnave të cilat janë kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë do të kemi furnizim nga lista esenciale mbi 90 për qind -93 për qind që për herë të parë kemi furnizim maksimal me këto barna”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur disa nga sfidat që përballen, siç është numri i vogël i infermierëve, pasi brenda ditësh deri 30 pacientë marrin shërbime në Onkologji. Ndërsa shqetësuese e sheh rritjen e rasteve të reja me këto sëmundje.

“Sfidë mbetet akoma numri i infermierëve, prapë nevojat janë në rritje dhe ne kemi nevojë për staf shtesë, për infermierë të cilët do të na lehtësonin edhe më shumë punën e përditshme gjatë dhënies së kimioterapive sepse brenda ditës në Onkologji marrin shërbime së paku 250 deri 300 pacientë në shërbimin e kimioterapisë dhe së paku 130 deri 140 pacientë të cilët trajtohen në shërbimin e radioterapisë. Deri në muajin maj kemi pasur në regjistrin e fundit të evidentuar me kancer, 715 raste të reja me dominim të kancerit të gjirit dhe menjëherë pas tij me dominim të kancerit të mushkërive dhe menjëherë pason një numër i lartë i të sëmurëve me tubin digjestiv. Pra janë këto tri lloje të tumoreve të cilët këto katër vitet e fundit në Kosovë dominojnë, shto këtu edhe numrin e pacientëve ose numrin e rasteve me tumore të organeve gjenitale te femrat dhe këto janë patologjitë më të shpeshta në Kosovë mbretërojnë. Një trend i tillë është edhe këta katër muajt e parë të vitit 2024 dhe një dominim siç e thashë i kancerit të gjirit te femrat dhe kancerit të mushkërive te meshkujt”, ka thënë Kurtishi për EO.