Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se këtë vit janë identifikuar dhe regjistruar në Klinikë 300-330 raste me kancer të gjirit, shifër afërsisht e njëjtë që ishte vitin 2024.
“Shpresojmë deri në fund të vitit ky numër të mbetet i njëjtë me atë të vitit 2024”, tha Kurtishi në një lidhje direkte në emisionin “Sot” në KTV.
Muaji tetor, njihet si “Muaji rozë” apo muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Kurtishi ka thënë se është mirë që po ka ndërgjegjësim më të mirë të qytetarëve të Kosovës e sëmundjet kanceroze në përgjithësi po diagnostikohen në stade më të hershme.
“Kanceri i gjirit është vërtetë 5-10 për qind trashëguese. Në raste kur ke një anëtar të familjes të sëmurë – si nënën, tezën, hallën – rekomandohet që gratë e reja të bëjnë kontrolle nga mosha 20-vjeçare, sipas nevojës edhe kontrolle të detajuara te mjeku me anë të ultrazërit një herë në vit apo një herë në dy vjet. Nga mosha 40-vjeçare të bëhen kontrolle të rregullta, mamografi e ultrazë, e të vazhdohet të monitorohet gjendja. Në raste ku anameza familjare është pozitive, bëhen edhe teste gjenetike, BRCA Screening. Me to mund të parashikohet nëse një person që ka një familjar të sëmurë, në ndërkohë a ka gjene të sëmura e a pritet të aktivizohen ato në një moshë të caktuar”, ka thënë Kurtishi.