Arbëri

Për 7 muaj, 335 raste të reja me kancer të gjirit

Janë 335 raste të reja me kancer të gjirit që gjatë këtij viti janë identifikuar në Kosovë. Sipas drejtorit të Onkologjisë, 40 për qind e tyre janë zbuluar në faza të avancuara të sëmundjes. Teksa institucionet kanë nisur fushatë vetëdijesuese në kuadër të muajit të luftës kundër kësaj sëmundjeje, të mbijetuara të kancerit të gjirit dhe mjekë onkologë bëjnë thirrje për kontrolle më të shpeshta

Arnisa Osmani ishte 40-vjeçare kur u diagnostikua me kancer të gjirit, në fazë të avancuar.

Gjashtë vjet pas, ajo është e kuruar nga kanceri por thotë se përjetimi ka qenë një goditje e rëndë për të.

“Normal m’u ka dok që krejt bota më ka ra mbi krye. Prej asaj dite kur doktoresha më ka thënë, nuk kemi kohë me muaj por me ditë, prej të nesërmes kam fillu siç shkojnë me protokoll të gjitha. I kam pasë dy operime, pas operimit të dytë, kanë qenë trajtimet kimioterapia dhe rrezatimet. A e kam pasur lehtë? Jo, nuk e kam pasur lehtë”, thotë ajo. 

Në muajin e luftës kundër kancerit të gjirit, Osmani u bën thirrje të gjitha grave dhe vajzave që t’i nënshtrohen kontrolleve sa më të shpeshta.

“Kontrollet e shpeshta shpëtojnë jetë. Ne që dalim e flasim, e kemi mujtë, e kemi përballu, na e dimë qysh flasim. Po ashtu edhe në këto momente, trupi im është duke u dridhë për mos me kalu nëpër çka kemi kalu na. Ju kisha lut kontrollohuni. Gabimi jem tepër i madh që u kanë, krejt trupin e kam kontrollu, çdo 6 muaj vetëm gjinjtë jo”, ka theksuar Osmani.

Kanceri i gjirit vazhdon të jetë njëri prej më të përhapurve në Kosovë. Vetëm deri në muajin shtator të këtij viti janë identifikuar 335 raste të reja.

Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë, thotë se 40 për qind e këtyre rasteve janë identifikuar në fazë të avancuar të sëmundjes.

“Vazhdon në Kosovë të jetë më i përhapur kanceri i gjirit dhe për nëntë muajt e parë ne kemi identifikuar rreth 335 femra ose gra të prekura me kancer, duke dominuar moshat mbi 50 vjeç. Ndërkaq, ajo çka mbetet më sfiduese është se vajzat e reja ose gra nën moshën 50 vjeçe, nga viti në vit numri i tyre po rritet, të cilët kanë sëmundje dhe e gjejnë këtë sëmundje në fazë të avancuar”, ka thënë Kurtishi. 

Ai bëri thirrje për vetëdijesimin e grave dhe vajzave për kancerin e gjirit, tek i numëroi shkaktarët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes.

“Faktorët gjenetikë, ato të cilat i posedon pacienti, mosha, gjinia dhe faktorët të cilët vijnë nga jashtë, të cilët mund të ndërveprojnë dhe ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve malinje. Abuzimi me duhan, me alkool, ekspozimi i tepërt i diellit, ushqimi jo adekuat”, ka thënë Kurtishi, tek ka përmendur shkaktarët kryesorë të kancerit.

Tetori është shpallur muaji i luftës kundër kancerit të gjirit dhe në kuadër të tij janë zhvilluar fushata vetëdijesuese për sëmundjen, teksa janë ofruar edhe kontrolle falas me mamograf.