Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti dënon plagosjen e dy qytetarëve në Shtërpcë: Fajtori do të përballet me drejtësinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar plagosjen e dy qytetarëve në Shtërpcë mesditën e së premten, duke thënë se i dyshuari do të përballet me organet e drejtësisë.

Kurti u ka uruar shërim të shpejtë dy të plagosurve, derisa ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.

Kreu i Qeverisë ka siguruar qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.

Dy qytetarët në Shtërpcë, sipas Policisë, u plagosen nga një veturë në lëvizje. Ndërsa, Policia shumë shpejt arrestoi të dyshuarin.