Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani kërkon nga organet e drejtësisë t’i trajtojnë me urgjencë plagosjet në Shtërpcë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga organet e drejtësisë ta trajtojnë me urgjencë rastin e dy personave që u plagosen mesditën e së premtes në Shtërpcë.

Osmani e ka konsideruar si akt të patolerueshëm plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë, ndërsa ka thënë se autori duhet të vihet para drejtësisë.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Reagim për rastin ka pasur edhe kryeministri Albin Kurti, që ka dënuar ashpër plagosjen e tyre.

Dy qytetarë në Shtërpcë, njëri 11 e tjetri 21 vjeç, sipas Policisë, u plagosën nga një veturë në lëvizje. Ndërsa, Policia shumë shpejt arrestoi të dyshuarin, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Një pjesë e magjistrales Ferizaj-Shtërpcë ka mbetur e bllokuar, me qytetarët serbë që kanë dalë në rrugë e ku po kërkojnë shtim më të madh të trupave të KFOR-it.