Politikanët në Kosovë kanë bërë thirrje për ruajtje të qetësisë dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë ta zbardhin rastin e dy personave të plagosur në Shtërpcë mesditën e së premtes.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga organet e drejtësisë ta trajtojnë me urgjencë rastin e dy personave që u plagosen mesditën e së premtes në Shtërpcë. Osmani e ka konsideruar si akt të patolerueshëm plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë, ndërsa ka thënë se autori duhet të vihet para drejtësisë.
“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar plagosjen e dy qytetarëve në Shtërpcë mesditën e së premten, duke thënë se i dyshuari do të përballet me organet e drejtësisë. Kurti u ka uruar shërim të shpejtë dy të plagosurve, derisa ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.
Edhe
Osmani kërkon nga organet e drejtësisë t’i trajtojnë me urgjencë plagosjet në Shtërpcë
Kreu i Qeverisë ka siguruar qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga institucionet e sigurisë angazhim që raste të tilla të mos përsëriten më.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e dënon ashpër plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë. Ftojmë institucionet e sigurisë që të kryejnë të gjitha hetimet e nevojshme për rastin, të sjellin para drejtësisë autorin apo autorët e këtij akti; si dhe të angazhohen që raste të tilla të mos përsëriten më. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të ruajnë qetësinë dhe t'u japin kohën e nevojshme organeve të rendit për të zbardhur rastin dhe për të informuar opinionin publik mbi këtë ngjarje. Të plagosurve ju urojmë shërim të shpejtë!”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se plagosja e dy të rinjve është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm.
“Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë, është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm! Të plagosurve u uroj shërim të shpejtë. Njëkohësisht kërkoj nga organet ligjzbatuese në Kosovë që sa më parë ta informojnë opinionin publik për rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja si dhe per motivet e saj. Gjithashtu, apeloj te familjarët dhe serbët lokalë që të mos bijnë pre e propagandës që këtij incidenti t'i japin konotacion politik! T'i japim kohë drejtësisë që t'i zbardhë rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje!”, ka shkruar Haradinaj.
Shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se ky mision dënon sulmin e pakuptimtë të sotëm kundër dy personave në Shtërpcë.
Edhe
Kurti dënon plagosjen e dy qytetarëve në Shtërpcë: Fajtori do të përballet me drejtësinë
Përmes një postimi, Wigemark ka thënë se EULEX-i dënon “sulmin e pakuptimtë të sotëm kundër një të riu dhe një djali në Shtërpcë dhe u uron shërim të shpejtë”.
“Mendimet tona janë me familjet e tyre dhe komunitetin lokal. Në të njëjtën kohë, ne përgëzojmë Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e një të dyshuari”, ka shkruar shefi i misionit të EULEX-it.