Përditësim, 18:08 - Ka nisur takimi mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Para takimit, Kurti u ka thënë mediave se takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur së bashku një emër për presidentin e ri.
Ai ka theksuar se palët do të jenë të hapura për procesin, por ka kërkuar që bisedimet të mbeten konfidenciale deri në arritjen e një marrëveshjeje.
“Do të jemi të hapur karshi juve sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje na duhet ta ruajmë konfidencialitetin e bisedimeve. Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe me vullnet të mirë po shkojmë në takim sot”, është shprehur ai.
Takimi, që për synim ka gjetjen e një presidenti konsensual, ka nisur nga ora 18:00. Me Abdixhikun është edhe ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Edhe
Konjufca për presidentin: Emrat i kemi gati
Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës ka deklaruar se janë përcaktuar emrat që do të propozohen për president nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Lëvizja Vetëvendosje unë vetëm po them që është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve. Më vjen keq sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin pastaj procesi i negociimit. Edhe LDK-ja besoj që së shpejti do të jetë gati sepse javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha që kjo javë do të jetë java në të cilën ata do të takohen. Me sa kam marrë vesh unë, në Vetëvendosje kryeministri Kurti ende nuk ka një ftesë nga apo një diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave. Po kështu e ka përdorur gjuhën kryetari Abdixhiku, ka thënë: “këtë javë”. Prandaj ne jemi në pritje e sipër që kjo të ndodhë. Dhe kur kjo të ndodhë, atëherë unë mendoj që do të jetë shumë afër marrëveshja për presidentin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.