Vazhdimësi të bisedave për formim të institucioneve kanë paralajmëruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit të parë të premten. Albin Kurti i VV-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së kanë thënë se s’kanë arritur rezultat konkret, por njëri e ka sinjalizuar “ndërmarrjen e madhe e të gjerë” e tjetri ka thënë se “ka shpresë” për rezultate. Paraprakisht, Kurtit “iu mbyll” një derë për negocim, pasi kryetari i Partisë Demokratike tha se kjo parti do të qëndrojë në opozitë. E Aleanca ka refuzuar të përfshihet në bisedime
Abdixhiku: Diskutuam për shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të reja
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, kanë diskutuar për “shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të reja”.
“Hap i mirë, i mbarë për të hapur kapitujt tjetër takues e diskutues”, ka thënë ai, pas takimit me Kurtin.
Ai ka thënë se nuk është diskutuar për poste, por po diskutohet për çështjen e parimeve. Në deklaratën për media pas takimit me Kurtin, Abdixhiku ka thënë se palët folën për stabilitet të domosdoshëm institucional e shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme.
“Për marrëveshje të mirë jemi të unifikuar”, ka thënë ai kur është pyetur për çështjen e unifikimit të partisë.
Kurti sinjalizon “ndërmarrje të gjerë” me LDK-në
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka sinjalizuar se synon një “ndërmarrje të madhe e të gjerë” me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas takimit mbi dy orë që pati në Kuvend me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar për formimin e institucioneve.
Kurti u shpreh të premten në mbrëmje se takimi është zhvilluar në një atmosferë konstruktive, ku janë diskutuar zhvillimet politike, dinamikat institucionale dhe hapat drejt konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Sipas tij, ekziston një gatishmëri dhe vullnet për të shmangur zgjedhjet.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, ku diskutuam shumë çështje të zhvillimeve politike, të dinamikave institucionale dhe njëkohësisht orarin që na pret përpara konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit. Ishte takimi i parë. Të gjithë e dimë që pardje u bë certifikimi dhe, përveç kësaj, i kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për ta zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, kryesinë e më pastaj edhe për qeverinë dhe presidentin”, ka thënë Kurti.
Ai bëri të ditur se në takim janë trajtuar të gjitha këto tema, por se ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.
“Kemi diskutuar për të gjitha këto. Por ende nuk kemi konkluzion apo ndonjë të arritur, të cilën do të mund ta ndanim me ju këtu. Jam optimist për rrugën përpara, jam me shpresë që racionaliteti që po mbizotëron do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime. Është takimi i parë, meqë do të ketë takime të tjera”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se bisedimet po zhvillohen rreth koncepteve, parimeve, afateve dhe funksioneve, duke lënë të kuptohet se synimi është një marrëveshje më e gjerë politike. Shtoi se bisedimet do të jenë transparente, por do të kenë edhe një farë konfidencialiteti.
“Diskutojmë koncepte, parime, gjithashtu orare e funksione. Është një ndërmarrje e madhe e gjerë që kërkon besim e mirëbesim, e cila kërkon kohë për realizim. Do të jemi transparentë karshi jush sa i përket procesit në të cilin ndodhemi, e kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave, të cilat duhet të rezultojnë me të arritura konkrete që të kemi çka të bëjmë publike”, deklaroi Kurti.
Sipas Kurtit, takimi nuk është fokusuar në emra për postin e presidentit, por në konceptet dhe parimet e bashkëpunimit.
“Nuk ka qenë takim për emër për president, por për koncepte e parime. Dhe çka të bëjmë strategjikisht që ta arrijmë numrin maksimal të deputetëve kur të vijë çështja e zgjedhjes”, u shpreh ai.
Kurti-Abdixhiku, më shumë se dy orë në takim
Kanë kaluar më shumë se dy orë prej që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar për formim të institucioneve.
Deri tash nuk ka asnjë informatë se çka konkretisht po diskutohet në takim.
Më herët gjatë ditës, Kurti ishte takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Takimi zgjati rreth një orë e gjysmë. Pas tij, Hamza u shpreh se PDK-ja qëndron në opozitë.
Kurti para takimit me Abdixhikun e Osmanin: Jam optimist
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se është e ditur fakti që ai është optimist, para takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe ish-presidenten Vjosa Osmani ku do të diskutohet për çështjen e presidentit.
“Ju e dini që unë jam optimist sepse e kam vullnetin e mirë dhe interesin publik që do të thotë të konstituojmë institucionet, të evitojmë zgjedhjet e reja... në këtë mënyrë të fillojmë qeverisjen mbarë e mirë sepse kemi shume projekte në gjysmë dhe të reja që do të vijnë”, ka thënë Kurti.
Kurti në takim do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ashtu siç ndodhi në takimin e paradites me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Abdixhiku shkon me Osmanin në takim me Kurtin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, i shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani, për t’u takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për të diskutuar për çështjen e presidentit.
Osmani ishte bartëse e listë së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.
Gjatë ditës, Kurti u takua edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, takim i cili, siç tha ai, ishte konstruktiv por nuk pati rezultate konkrete.
Kurti: Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, për presidentin të gjithë kemi përgjegjësi
Megjithatë, Kurti deklaroi se nga takimi me Hamzën nuk pati "ndonjë rezultat konkret".
“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotëroj edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera kontruktive duhet të vazhdoj të mbizotëroj”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale.
“Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, dikush i asnjë partie, përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuar kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit... Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentin të gjithë kemi përgjegjësi”.
Të enjten Kurti i ka ftuar në takim Hamzën, Abdixhikin e kryetarin e Aleancës Ardian Gjini.
Hamza e Abdixhiku i janë përgjigjur pozitivisht ftesës, ndërkohë që Gjini ka thënë se takimi nuk është i nevojshëm.
Kurti të premten ka thënë se Gjini duhet ta pranonte ftesën për takim.
"Nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar parlamentare si AAK të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese".
Të enjten (dje) ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit deri më 7 gusht.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.
Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe.
E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.
Presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.
VIDEO:
Hamza: Përgjegjësinë për krijim të institucioneve e ka VV-ja, do të jemi konstruktiv si parti opozitare
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë.
Në një deklarim për media pas takimit që e ka zhvilluar me kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti, Hamza ka thënë se ata do të qëndrojnë në opozitë.
“Do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda kuvendit, në interes të qytetarëve. Për të gjitha ato çështje me interes unë kam insistuar dhe premtuar se vota e PDK-së do jetë pro, duke përfshirë marrëveshje financiare, ndërkombëtare, që janë në interes të qytetarëve. PDK do a ketë rolin e vet konstruktiv si parti opozitare. Të gjitha partitë e tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV. LVV duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre”, është shprehur Hamza.
VIDEO:
Hamza para takimit me Kurtin: Po shkoj pa vija të kuqe, shpresoj në sukses
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar para takimit me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.
Hamza tha se beson se ky takim do të ketë sukses në procedurat e mëtejme të formimit të institucioneve.
“Ne po shkojmë me iu përgjigj ftesës pa paragjykuar, ku uroj dhe besoj që me pasë sukses, me pasë progres, vendi me pasë institucione, me pasë stabilitet institucional edhe me pasë progres e përparim”, tha ai.
Hamza tha se nuk është në pyetje pozicioni apo emrat, por parimet.
“Ne s’po flasim as për pozicione, as për emra, po flasim për parime”, tha ai.
Hamza u shpreh sërish se nuk ka vija të kuqe me asnjë parti dhe është i gatshëm të bisedojë më të gjithë në interes të vendit.
“Qëndrimi im është i qartë. Te unë është gjithmonë konsistenca prezent. Gjithmonë kam deklaruar që s’ka vija të kuqe me partitë politike, gjithmonë jam i gatshëm me bisedu me secilin lider politik në interes dhe në dobi të vendit dhe normalisht që deklarata ime ka qenë publike, ka qenë e qartë. Fillimisht për prioritetet, se unë kam garuar me një program, kam garuar me disa prioritete, nuk kam garuar për me i pasë 4-5 vetë ministra, 5-6 vetë, për me pasë këtë pozicion a atë pozicion, po kam garuar me pasë ambient më të mirë për biznesin, me pasë partneritet me aleatët tonë edhe me miqtë tanë, po edhe si partner me i trajtu. Me i rrit pagat, me i rrit pensionet e shumë prioritete të tjera”, tha Hamza./ EO
Kurti arrin në Kuvend, pret takim konstruktiv me Hamzën
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka arritur në Kuvend ku pritet të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Kurti ka thënë se pret që takimet me krerët e partive të jenë konstruktive.
“Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe t'i konstituojme institucionet”, ka thënë ai shkurt për mediat para se të futej në objektin e Kuvendit.
Pasdite Kurti do ta takojë edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku. Takimet mbahen në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.