Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Sjelljet e opozitës janë joshtetërore dhe anti-institucionale

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se sjelljet e opozitës në Kosovë janë joshtetërore dhe anti-institucionale, duke i akuzuar ato për bllokim të qëllimshëm të funksionimit të institucioneve.

Ai ka vlerësuar se opozita nuk ka synim tjetër përveç pengimit të qeverisjes, duke theksuar se veprimet e saj përbëjnë mosnjohje të rezultatit zgjedhor dhe të vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas tij, bojkotimi i seancave plenare është dëshmi e qartë e kësaj qasjeje bllokuese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër: për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, përkatësisht përballjen me inflacionin, u mobilizuan të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe, kurse për president nuk po vijnë as në sallë. Kosovës nuk i duhen bllokada si ato të 10 muajve të vitit të shkuar. Me besim të plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, vendit do t’ia humbnim edhe 10 milionë vetëm për organizimin e zgjedhjeve, pa i përmendur dhjetëra miliona euro nga marrëveshjet e tjera. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që të mos shkojmë në zgjedhje të përsëritura e të panevojshme”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp të martën pasdite.

Kurti ka përmendur se opozita është mobilizuar për të kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët dhe masat për përballimin e inflacionit, ndërsa nuk po merr pjesë në proceset e rëndësishme institucionale, siç është zgjedhja e presidentit. Ai ka theksuar se vendi nuk ka nevojë për bllokada si ato të vitit të kaluar dhe se zgjedhjet e reja do t’i kushtonin buxhetit rreth 10 milionë euro, pa përfshirë dëmet e tjera financiare.

Kryeministri ka thënë se ka bërë disa përpjekje për arritjen e një konsensusi, duke ftuar në takim krerët e partive opozitare, por sipas tij, nuk ka pasur asnjë propozim nga ana e tyre.

“U përpoqëm për kandidat konsensual; i ftova disa herë në takim kryetarët e PDK-së dhe LDK-së. Ndonëse nuk ofruan asnjë propozim, unë vazhdimisht kam ofruar ide, por morëm veçse refuzim. Ne propozime, ata refuzime. Dje ftuam debat parlamentar. Filluan të refuzojnë edhe takimet me mua, prandaj ftuam debat parlamentar; as aty nuk erdhën. Edhe një hap u bë mbrëmë, por asgjë nga opozita. Sërish refuzime”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, Kurti ka përmendur edhe propozimin e kandidatëve konsensualë, duke theksuar se figura si Feride Rushiti më parë është vlerësuar publikisht nga përfaqësues të opozitës, ndërsa tani, sipas tij, mungon gatishmëria për ta mbështetur në Kuvend.

“Propozuam edhe kandidatë konsensualë. Feride Rushiti, kur nderohej me çmime prestigjioze, shumë deputetë opozitarë mburreshin me postime në rrjetet sociale për të—postime si ajo e deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, apo ajo e PDK-së, Vlora Çitaku. Si është e mundur që, pas gjithë atyre vargjeve vlerësuese, sot nuk e marrin mundin të vijnë në sallë, teksa struken në zyrat e grupeve parlamentare, madje duke dërguar kërcënime për një grua që gjithë jetën ia ka kushtuar mbrojtjes së viktimave”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka falënderuar Rushitin për gatishmërinë për të kontribuar në tejkalimin e krizës, por ka shprehur skepticizëm për mundësinë e zgjidhjes, duke kritikuar qasjen e subjekteve opozitare dhe liderëve të tyre.

“E falënderoj Rushitin për gatishmërinë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Por kjo duket e pamundur me subjekte politike dhe liderë partish që e kanë humbur arsyen, që kanë vendosur inat jo vetëm me ne, por edhe me popullin e Kosovës, që nuk po i voton më shumë e po i voton gjithnjë e më pak”, shtoi ai.

Në fund, Kurti i ka bërë thirrje opozitës që të jetë në Kuvend në seancën e orës 19:00, duke theksuar se institucionet nuk mund të funksionojnë përmes bojkotit dhe bllokadave.

Lexo përditësimet tjera
LIVE: Nis seanca për presidentin

Tiktak: Kosova gjithnjë e më afër zgjedhjeve të reja