Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale. Ai ka konfirmuar se në muajin janar të vitit 2023 do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimin e radhës në Bruksel.

Kurti ka thënë se afati që deri në mars të shqyrtohet plani franko-gjerman është caktuar nga ndërmjetësit.

“Është e pritshme që në janar do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimet në Bruksel. Me datën 18 gusht ka ndodhur një takim në procesin e bisedimeve le të themi historik, por me h të vogël, pasi për herë të parë agjenda e ka pasur rendin logjik të gjërave... Tri javë më vonë u bë propozimi që e kemi konsideruar si bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme nga emisarët specialë, të cilët erdhën edhe në Prishtinë me atë që është quajtur iniciativa franko-gjermane për marrëveshjen që i përngjanë dy Gjermanive me elemente dhe opsione të ndryshme. Unë besoj se aty thirrja që bëhet në vlera demokratike evropiane është pozitive, por procesi negociator do të tregojë si do të shkojë më tutje. Por është e qartë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe dialog. Ajo është e interesuar vetëm për shkaktim të krizave në të cilat mandej shfaqet vetë si faktor që i zgjidh ato”, ka thënë Kurti për KosovaPress.

Kurti ka thënë po ashtu se “nuk është e kollajshme të arrihen njohjet e reja”.

“... kur kemi trashëguar marrëveshje të vjetra në kuadër të një dialogu, i cili nuk ka qenë i sinqertë dhe serioz, me marrëveshje të cilat përgjithësisht nuk janë zbatuar për shkak të Serbisë, por këto vendet mos njohëse kanë qenë të stepura duke thënë se po e presin rezultatin e dialogut. Nuk është kollaj të sigurohen njohje të reja kur ndodhesh në këtë proces. Prandaj kur të fillojë dialogu politik, sidomos nga vitit 2013 dhe këndej, gjithçka u bë më vështirë. Por ajo çka kemi ndërmarrë ne kemi aplikuar në Këshillin e Evropës më 12 maj, kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian më 15 dhjetor dhe të njëjtën kohë, për çfarë jemi shumë të lumtur është edhe formimi i grupit punues për aplikim në të ardhmen e afërt për anëtarësim në NATO, meqë rast, natyrisht që Partneriteti për Paqe është guri i rëndësishëm kilometrik në rrugën përpara. Është e pritshme se më parë do të anëtarësohemi në NATO, pastaj në Bashkimin Evropian, por ne duam t’i bëjmë të dyja këto. S’kemi alternativë tjetër”, ka deklaruar ai. /KP