Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia do të jetë gjithmonë rrezik për vendet që e pengojnë projektin e ashtuquajtur “bota serbe”. Përveç Kosovës, Kurti ka përmendur edhe Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën si vende që “ngacmohen” nga Serbia.
Këto deklarime, sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti i bëri gjatë qëndrimi dyditor në Zvicër ku mori pjesë si folës kryesor në diskutimin e organizuar nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme.
Gjatë diskutimit, kryeministri i Kosovës u shpreh se nuk ka shpresë që Serbia mund të reformohet me elitën autoritare që po udhëheq vendin.
“Përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit, Serbia gjithmonë do të përbëjë rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të ‘Serbisë së Madhe’, që tani e quajnë ‘bota serbe’, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”, ka thënë Kurti.
Në fjalën e tij, shefi i Qeverisë tutje përmendi ndikimin e zgjerimit ekonomik dhe politik të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Theksoi se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore që të mbesin të ankoruar në vlerat e Bashkimit Evropian.
“Unë e parashoh një Evropë ku Ballkani Perëndimor është plotësisht i integruar, jo vetëm ekonomikisht por edhe kulturalisht si dhe në aspektin shoqëror. Një Evropë mjaftueshëm e fortë për t’i rezistuar presioneve të jashtme, në mbrojtje të të gjithë qytetarëve të saj. Një Evropë ku të rinjtë tanë shohin një të ardhme në të cilën mund të besojnë dhe ku mund të përmbushin ëndrrat e tyre. Vitet në vijim do të jenë vendimtare në përcaktimin e ritmit të integrimit në BE”, u shpreh kryeministri.
Ai bëri thirrje që Zvicra të vazhdojë të mbështesë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunime multilaterale, “që për shtete si ne janë esenciale për të arritur qëllimet ekonomike dhe të sigurisë”. Kryeministri gjithashtu shprehu falënderimin ndaj gjithë atyre që kanë avokuar dhe vazhdojnë të avokojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata në të cilat nuk është ende anëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO.