Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Qeveria do t’u gjendet afër qytetarëve që pësuan nga moti i keq

Foto: Koha

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria që ai udhëheq do t’u gjendet afër qytetarëve që pësuan nga moti i keq i ditëve të fundit.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se qeveria do të vlerësojë sfidat e do të marrë masat e duhura pas erërave të forta që rrëzuan kulme shtëpish e dëmtuan prona private e biznese në Istog, Klinë e Pejë.

“Qytetarët e Kosovës, që banojnë në komunën e Istogut, e në disa pjesë të Klinës e Pejës duhet të kenë kujdes këto ditë. Era e fortë ka rrëzuar kulme shtëpish, ka dëmtuar prona private e biznese, e ka rrëzuar shtyllat e rrjetit elektrik. Dëmet kanë qenë të mëdha sidomos në Istog ku është ndërprerë dhe mësimi në shkolla. Për fat të mirë nuk jemi njoftuar për të lënduar. Qeveria është udhëzuar të ketë vëmendjen e nevojshme ndaj kësaj situate, për të vlerësuar sfidat dhe për të marrë masat e duhura, për t’iu gjendur pranë qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se nesër, më 7 shkurt, do të vizitojë këto komuna për të parë nga afër situatën e për “të dëgjuar se cilat janë nevojat e institucioneve dhe ato të qytetarëve”.