Albin Kurti është votuar unanimisht për kryeministër në Qeverinë e Kosovës, në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në fjalimin e tij, ka folur për punët e mira, siç ka thënë se i kanë bërë gjatë qeverisjes së kaluar, dhe për ato që do t’i bëjnë gjatë mandatit të ardhshëm.
Ka thënë se do të përshpejtojnë rritjen ekonomike, duke rritur gjithashtu edhe pagat, pensionet dhe mbështetjen sociale.
Ka shtuar se synim i tyre është që investimet kapitale të kalojnë shifrën prej 1 miliard euro.
Kurti ka thënë se do të kujdesën për më shumë siguri e më pak krim.
“Në mandati e ardhshëm do ta nisim valutën digjitale. Transporti publik është ndër fushat që kërkohet shumë angazhim. Do të nisim me përjetësimin e programit anembanë. Do të krijojmë rrjet të integruar në gjithë territorin e vendit. Bileta do të jetë e subvencionueshme dhe me 10 euro të gjithë do të jenë në gjendje të udhëtojnë anembanë. Do të investojmë mbi gjysmë miliardi euro në Brezovicë. Do të sigurohemi që të bëhet e famshme në mbarë botën. Do të mbështesim sipërmarrësit e diasporës”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se në mandatin e ri do të mbështeten gjyshërit e secilës familje që ka fëmijë.
Ka shtuar se gjyshërit që kujdesen për nipërit dhe mbesat do të marrin 100 euro shtesë çdo muaj.
“Paga minimale do të rritet mbi 500 euro. Për veturat e importuara nga BE-ja do të heqim taksën për 10 për qind. Do ta themelojmë fondin e sigurimeve shoqërore nga i cili do të themelohet pagesa për pushimin e lehonisë. Në mandatin e ri do të shtojmë bursat e mobilitetit. Do të dyfishojmë buxhetin e bursave. Do të nisim ciklin e boneve për fëmijët që hyjnë në kopshtet private”, ka thënë ai.
Kurti me akuza ndaj Kushtetueses: Po funksionon si hije e opozitës ndaj Vetëvendosjes
Albin Kurti ka thënë se Gjykata Kushtetuese po funksionon si hije politike e opozitës ndaj Vetëvendosjes.
Ka thënë se meqë tash u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarët, Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe.
Ai ka thënë se kjo “është ngjashëm sikur Arben Vitia të lëshojë vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së tyre të rënduar”.
“Nga katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë vonuan për ta trajtuar ankesën e AAK-së e po aq ankesat e LDK-së e PDK-së. Opozita orë e çast i drejtohej Kushtetueses. A e dini pse, sepse pesë nga shtatë gjyqtarët e Kushtetueses janë zgjedhur në 2018 kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese ka penguar punët e mira të Qeverisë.
Kurti ka thënë se në tetë raste, me vendimet e Kushtetueses janë penguar nismat reformuese të Qeverisë duke u shpallur si antikushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese na e ka rrëzuar ligjin për vendosjen e çmimit tavan. Kjo ka qenë dita më e pikëlluese e imja si kryeministër", ka thënë ai.
Kurti ka thënë se duhet pasur kujdes edhe “nga adresat nga po informohemi”.
“Nëse ata që kanë për detyrë të informojnë nuk kanë filtra ndaj këtyre lajmeve dhe nuk i bëjnë me qëllim, duhet ne si aktivistë dhe qytetarë të kemi filtrat tonë ndaj këtyre lajmeve dezinformuese”, ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për Serbinë, duke thënë se për këto vite ia kanë shpërfaqur fytyrën e vërtetë Aleksandar Vuçiqit.
Sipas tij, protestat po ia organizon populli dhe jo kryeministri i Kosovës.
Konjufca: Kushtetuesja do t’i hapë rrugë Kuvendit ose do të shkojmë në zgjedhje – skenari i tretë do të ishte tradhti
Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se sivjet kanë parë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor.
Ai ka thënë se partitë politike të cilat e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje, qysh prej certifikimit të zgjedhjeve janë munduar të thonë se vetëm një votë më pak se 50 për qind, dhe shteti mbetet pa Kuvend.
“Çështja e themelimit të Kuvendit është akt i rendit të vullnetit të popullit si rezultat zgjedhor. Të jesh kundër themelimit të vendit, është sikur të jesh kundër vetvetes. Në fund mund të thuhet se kriza zgjati se partitë vendosen që VV-ja të mos ketë kryetare Albulena Haxhiun, kurse kjo krizë po zgjatë ende sepse ato po mendojnë që nuk ka republikë pa një nënkryetar serb”, ka thënë ai.
Konjufca ka thënë se krizat politike nuk vijnë nga qielli dhe as nuk rrinë pezull.
Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës.
“Qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Kushtetuesja është para një vendimi të madh. Gjykata nuk ka çfarë të interpretojë më tej Kushtetutës. Ose do të hapet rruga që Kuvendi do të vazhdojë ose do të vazhdojmë në zgjedhje të reja. Skenari i tretë është më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, një skenar që ja jep Listës Serbe dhe Beogradit, të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i Listës Serbe. Ne e kemi Kuvendin dhe do ta kemi qeverinë”, ka thënë ai.