Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në zgjedhjet në veri pati dalje të ulët të votuesve për shkak të atmosferës së frikësimit dhe të shantazhit. Ai tha se bojkotimi i zgjedhjeve ishte nga fushatat kërcënuese të Beogradit dhe “veglave të tij kriminale”.
Ai i ka uruar të zgjedhurit, ndërsa tha se krah tyre do të jetë Qeveria e se ata “duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim”.
“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen. Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Edhe në një reagim të Qeverisë u tha se dalja e ulët në zgjedhje ka ndodhur për shkak të fushatave kërcënuese nga Beogradi, e ekzekutuar nëpërmjet frikësimit, presionit dhe shantazhit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë. Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje. Krahas institucioneve për punën e tyre, falënderojmë qytetarët për kurajën dhe qetësinë. Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve”, u tha në komunikatë.
Qeveria tha se kryetarëve dhe asamblistëve të zgjedhur do t’iu ofron mbështetje në shërbim të qytetarëve pa dallim.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.
Nga rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë fituar nga dy komuna.