Kryeministri Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes së tij në tryezën e diskutimit me titull “Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2024”, të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka thënë se ky regjistrim është më shumë se numërim.
Sipas tij, ky regjistrim është angazhimi i shtetit për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe bazë për vendime që do të ndikojnë në të ardhmen.
“Regjistrimi siguron të dhëna të sakta dhe të plota demografike, socio-ekonomike dhe gjeografike, të cilat janë thelbësore për vendimmarrjen e informuar në çdo nivel. Këto statistika ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve për të mirën e qytetarëve, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien në demokraci. Ato gjithashtu ndihmojnë në alokim më efikas të burimeve për shërbime që i ofron sektori publik”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti më tej ka thënë se Qeveria e ka ndarë buxhetin e nevojshëm, ka ofruar hapësira për trajnime dhe ka siguruar logjistikën, duke u angazhuar në bashkërendim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të garantuar një regjistrim cilësor dhe gjithëpërfshirës.
Procesi i regjistrimit është planifikuar të fillojë më 5 prill dhe të përfundojë më 17 maj të vitit 2024.