Arbëri

Kurti: Opsioni për targat neutrale erdhi nga Lajçaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opsioni për targa neutrale ka ardhur nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Këto opsione për targa neutrale karshi statusit të Kosovës, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, unë nuk e di se kush ia ka dhënë idenë ndërmjetësit”, ka thënë ai në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë.

Kurti ka thënë se opsionet e propozuara nga Lajçaku do t’i shpalosë pas takimit sot.

“Njëri prej opsioneve ka qenë që Kosova të lëshojë targa neutrale, t’ia kthejë vetes UNMIK-ut. Ka pasur kërkesa të shtyhet afati i implementimit të vendimeve, por kërkesa ka ardhur nga ndërmjetësi, jo nga pala tjetër. Gjithashtu ka pasur edhe diskutim lidhur me atë që qytetarët e Kosovës të mos trajtohen njësojë. Serbët që si kanë letërnjoftimet e Kosovës, por janë të Kosovës e në Kosovë të përjashtohen. Janë disa mijëra”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se 1 shtatori do të jetë ditë normale.

“Ose do të kemi dokumente hyrje/dalje në të dy anët ose në asnjërën. Cilado është e pranueshme për ne. Duam reciprocitet”, ka thënë Kurti.

Ai është deklaruar edhe për takimin e nivelit të lartë më 18 gusht në Bruksel, duke thënë se në këtë takim ka shkuar me propozime konkrete.

Ky sqarim nga ana e tij ndodhi pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Christopher Hill, i cili tha se pala kosovare nuk ka qenë e përgatitur në dialog.

Kurti tha se ka qenë pala serbe ajo që nuk ka sjellë ide konkrete në tavolinë.

“Së pari në Bruksel kam qenë unë dhe kam marrë pjesë në të gjitha takimet, në këto takime kam qenë kreativ, konstruktiv, i përkushtuar për dialog, për marrëveshje jo për dialog për dialog. Marrëveshja duhet të jetë ndërkombëtarisht ligjërisht e obligueshme, duhet të jetë marrëveshje finale, për normalizim të plotë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve që në qendër duhet të ketë njohjen reciproke. Unë kam shkuar me propozime konkrete. 18 gushti është dashur të mbahej më 19 korrik, unë kam qenë i gatshëm, por Beogradi ka kërkuar të shtyhej pas një muaji dhe kur ka ardhur pas në muaji nuk ka sjellë ide konkrete. Takimi ka qenë në frymë konstruktive, pozitive, mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala tjetër të bëjë asnjë lloj marrëveshje. Insistimi ka qenë që të bëjë menaxhim krize, për çështje të sigurisë e takuam një ditë para sekretarin e NATO-s”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se në bisedimet e 18 gushtit ka propozuar një kapitull për marrëveshjen e deritanishme, për t’i shqyrtuar bashkërisht pikat që sipas tij, janë të kota dhe ato që janë zbatuar, mirëpo njoftoi se kjo nuk ka qenë si pikë diskutimi në agjendën e Brukselit.

Sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje të qytetarëve serbë në Kosovë, Kurti ka thënë se janë vetëm dy opsione, të mos ketë dokumente të tilla as në Serbi e as në Kosovë, ose të jenë evidente në të dyja vendet.