Është përditësuar propozimi evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe ndryshimet e bëra në dokument u janë prezantuar palëve, ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
Ai nuk dha detaje për ndryshimet, por konfirmoi se ato janë bërë.
"Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Ato duhet të angazhohen tani në një diskutim serioz, sepse ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe”, tha Borrell.
Drafti i ri i propozimit u është prezantuar palëve nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili të hënën ka qëndruar në Beograd, e të martën në Prishtinë.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Lajçak nuk foli për propozimin, por paralajmëroi nisjen e diskutimeve për normalizim të marrëdhënieve.
“Procesi i normalizimit do të fillojë brenda javësh dhe më pas është në duart e të dyja palëve. Ne nuk duam të vonojmë apo ta zvarritim këtë proces. Ky moment është i duhur dhe tani ky moment është këtu, por nuk do të jetë këtu përgjithmonë. Prandaj ne nuk duam ta vonojmë këtë proces dhe sa i përket marsit, nuk jam për afatet. Kemi pasur shumë afate deri më tani këtu, por do të thosha se deri në mars do të shohim se ku qëndrojmë, sa po përparojmë dhe ku po shkon ky proces”, tha Lajçak.
Sipas tij, edhe Kosova edhe Serbia kanë pranuar që propozimi evropian të jetë bazë për diskutimet e ardhshme.
Lajçak ka folur edhe për largimin e serbëve nga institucionet në veri.
“Një gjë që është e qartë është se kemi një vakum serioz, një vakum të sigurisë që nuk është i mirë, që nuk është i mirë për njerëzit, nuk është i mirë për askënd dhe sigurisht që do të donim të ktheheshin në gjendjen normale kur policia ishte atje duke bërë punën e saj dhe kur gjyqësori është duke funksionuar dhe punuar. Dhe kjo ishte ajo që më duhej të dëgjoja nga palët. Kemi përcjellë qartë pritjet e BE-së që jemi të lumtur të ndihmojmë dhe ta kthejmë situatën në normalitet”, tha Lajçak.
Informata të përgjithshme për takimin janë ndarë edhe nga Qeveria. Në një informatë për media thuhet se mes kryeministrit Kurti e emisarit Lajçak është diskutuar për dinamizimin e procesit të dialogut, për elementet e kornizës themelore të marrëveshjes dhe për zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë dhe çështje të tjera aktuale ishin temat kryesore të takimit. Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në dialog, ndërsa ritheksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër. Ai e njoftoi z. Lajçak që Qeveria është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria është e vendosur për sundimin e ligjit dhe e përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Takimi Kurti-Lajçak është realizuar para se gjatë ditës të demoloheshin zyrat e KQZ-së në veri të vendit.
E, propozimi që fillimisht është quajtur franko-gjerman, synon nisjen e një dialogu intensiv mes palëve për t’u dhënë zgjidhje problemeve të hapura. Në këtë fazë, sipas propozimit, nuk do të hapet edhe çështja e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.