LAJMET E MBRËMJES

Kurti thotë se BE-ja ndryshoi deklaratë, opozita e cilëson të dorëzuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë sqarime para deputetëve për marrëveshjen që është arritur të mërkurën në Bruksel. Sipas tij, Kosova nuk ka ndërruar qëndrim, porse BE-ja është pajtuar me kushtin e Kosovës që në këmbim të pezullimit të vendimit për targa propozimi franko-gjerman të bëhet pjesë e bisedimeve intensive në Bruksel. Me pajtueshmërinë që është mbërritur në Bruksel, opozita e ka cilësuar si të dorëzuar e të pafuqishme Qeverinë e Kosovës.

Dakordimi për targat që u arrit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti tha se do ta përshpejtojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Përpara kritikave se Kosova u pajtua të mërkurën me atë që nuk u pajtua të hënën, Kurti tha se diskutimi për dakordim që u bë në fillim të javës dallon shumë me atë që u arrit dakordimi.

Sipas tij, të mërkurën BE-ja është pajtuar me atë për çka ai kishte shkuar në Bruksel, pra, për fillimin e negocimit me shpejtësi të propozimit të BE-së, i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman.

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman përmes një marrëveshjeje të obligueshme të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel... Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borelli ka ndryshuar deklaratën, dhe kjo është shumë mirë”, ka thënë Kurti.

Sipas marrëveshjes, Kosova nuk do të shqiptojë gjoba për targat ilegale, Serbia nuk do të lëshojë më të tilla me akronime të qyteteve të Kosovës.

Por, sipas zyrtarëve serbë, veturave ekzistuese me targa KM do t’u mundësohet vazhdimi i regjistrimit në mënyrë që të lëvizin të lira.

E këtë paragraf të dakordimit kryeministri kosovar po e interpreton ndryshe.

“Tash nuk lëshohen targa më atje në veri dhe është shumë mirë se këtyre këtu u del regjistrimi... atyre krejtve ka me u dalë regjistrimi dhe s’ka më regjistrime”, ka deklaruar Kurti.

Ky dakordim, për këto veprime reciproke, Kurti tha se do të skadojë në mars të 2023-s, atëherë kur synohet të përfundojë edhe negocimi për propozimin franko-gjerman.

Por, mirëkuptimi për targat që u arrit në Bruksel nga opozita u pa si dorëzim e dobësim i shtetit të Kosovës.

“Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes se njëjtë tregon qasjen joserioze që ka Qeveria. Duhet transparencë në dialog, jo deklarata kontradiktore dhe qasje selektive”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

“Marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme është terminologji prej fillimit, mirë që jeni duke e kuptuar rëndësinë e procesit. E ke kuptuar që duhet bashkërendim, the që nuk do të ecësh vetë, nuk mund të ecësh vetë, sepse ky Kuvend e jep fjalën e fundit”, ka deklaruar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Unë pajtohem plotësisht, Kuvendi e ka fjalën e fundit, unë nuk mundem pa juve po as ju nuk mundeni pa mua. E keni kryeministrin më të rregullt në parlament se shumë deputetë. Shumë deputetë vijnë më rrallë se unë, e unë për ta vij”, është përgjigjur Kurti.

Kryeministrit iu kërkua të gjejë zgjidhje edhe për serbët e dorëhequr.

“Dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Unë u kam bërë thirrje serbëve që të mos shkojnë, por s’kam si t’u bëj thirrje që të kthehen, sepse shkuarja e tyre është akt individual politik, kthimi i tyre është çështje ligjore kushtetuese. Kthimi i serbëve nuk mund të bëhet politikisht. Mos shkoni po, ama kthehuni nuk mundem”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti i ka shprehur falënderim ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për rolin që ka luajtur në arritjen e marrëveshjes për targat.