Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti njofton për platformën që mundëson raportimin e rasteve të diskriminimit të komuniteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim anëtarët e Komitetit Këshillimor të Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, Emma Lantschner, Mikko Puumalainen dhe Agnes von Maraviq.

Sipas një komunikate për media, në takim, Kurti ka folur për nivelin e përfaqësimit të komuniteteve në institucionet qeverisëse dhe për veprimet e Qeverisë së Kosovës në avancimin e pozitës së tyre në shoqëri. Ai i njoftoi anëtarët e Komitetit për nismat dhe programet që po zbaton Zyra e Kryeministrit.

Ai veçoi programin për angazhimin e 100 praktikantëve, që u mundëson të rinjve të komuniteteve joshumicë të kryejnë punë praktike në institucionet qendrore dhe lokale, e që do t’u ndihmojë që krahas krijimit të përvojës së punës, të familjarizohen me punën e institucioneve qeverisëse.

Sipas komunikatës, Kurti gjithashtu foli për buxhetin prej 1.5 milionë euro që është ndarë nga qeveria, përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve, për projekte në fusha të ndryshme, sikurse për 500 bursat e ndara për nxënës të shkollave të mesme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe marrëveshjen për 50 bursa për studentë prej këtyre komuniteteve. Po ashtu, i njoftoi se gjatë këtij viti do të lansohet një platformë inovative në kuadër të Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit për raportimin e rasteve të diskriminimit ndaj komuniteteve joshumicë.

“Duke biseduar për takimin e mbajtur me zyrtarët e Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim, përfshirë ato nga komunat me popullatë shumicë serbe dhe turke, kryeministri veçoi diskutimet për sfidat dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre së bashku. Kjo dhe platforma të këtilla do të ndihmojnë në ngritjen e statusit të këtyre akterëve të nivelit lokal që mbështesin të drejtat e qytetarëve të komuniteteve joshumicë të Kosovës dhe do t’i mundësojë Zyrës së Kryeministrit të dëgjojë drejtpërdrejt se cilat janë sfidat dhe mundësitë për zgjidhjen e tyre”, thuhet në njoftim.