Në një tryezë kushtuar 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës është folur për pakicat në Kosovën e pavarur.
Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ka thënë se nuk janë plotësisht të kënaqur me përfshirjen e komuniteteve në institucione. Ka shtuar se nga ana tjetër Kosova ka sistem të zhvilluar ku arsimi zhvillohet në katër gjuhë.
“Me ligj është e ndaluar çfarëdo diskriminimi. Kemi një sistem të zhvilluar të arsimit e cila zhvillohet në katër gjuhë. I kemi institucionet shtetërore ku janë të përfaqësuar nga komunitete. Ne nuk jemi plotësisht të kënaqur me përqindjen e përfshirjes së komuniteteve në institucione por kemi shpresë te kryeministri se do të punojë në këtë drejtim”.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se ka interesim që të zgjidhen problemet në veri me komunikimin me institucionet qendrore.
“Kam thënë se diversiteti është fuqia më e madhe e Kosovës, fatkeqësisht në Ballkan asgjë nuk zgjidhet brenda nate, por ka nevojë për punë. E mua më vjen mirë që kemi komunikim e interesim nga institucionet qendrore për të zgjedhur problemet që i kemi në veri. Javën e kaluar ministria ka shpallur kërkesë publike për të aplikuar serbët. Për 10 ditë ka pasur shumë interesim. Unë e kam hapur ftesën në kuptimin që të furnizohen me materiale ndërtimore, me pako higjienike, e të ndryshme. Ne me këto shpallje tona ne i tregojmë se jemi përkrahë tyre. Unë duhet të kërkoj po ashtu edhe ndihmë nga kryeministri, pasi besoj që ne sapo kemi filluar procesin drejt integrimit. Po ashtu duhet të punojmë ne kthimin urban pasi për këtë s’ka pasur asnjëherë vullnet politik, ne për këtë kemi iniciuar planifikimin, pastaj do të vazhdojmë me hapa të tjerë”, ka theksuar Rashiqi.
Kurse kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se të gjitha komunitetet në Kosovë duhet të ndihen të barabartë.
Kurti ka thënë se si qeveri po punojnë përmes programeve që të përkrahen komunitetet pakicë .
“Dy vitet e fundit qeveria ka mbështetur të gjitha komunitetet. E kemi lansuar platformën për raportimin e diskriminimit. I kemi përkrahur 123 biznese e start up për komunitete shumicë, mes tyre 48 për ata serbë. Programet mësimore janë përkthyer në turqisht dhe boshnjakisht, në proces të përkthimit janë serbisht dhe anglisht. Ne jemi të angazhuar që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë dhe të mos jenë të diskriminuar. Kjo dëshmohet përmes punësimit të tyre në institucione, ku pritet të rritet numri i tyre. Vizioni ynë është ngjallja e vlerave evropiane, prandaj është e rëndësishme që të gjithë së bashku të punojmë që Kosovën ta bëjmë një vend të anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.