Kryeministri Albin Kurti në një tryezë me donatorë, u shpreh se Qeveria që drejton ka bërë hapa konkretë për t’iu ndihmuar komuniteteve joshumicë. Ai përmendi bursat, grantet dhe sigurimin e 1426 vendeve të punës vitin që shkoi. E ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, shpalosi një iniciativë që, sipas tij, ka për qëllim afrimin e shqiptarëve dhe serbëve
Mbrojtja dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë trajtohen me prioritet dhe vëmendje në dialogun e Brukselit, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në një tryezë të rrumbullakët me donatorë, të mërkurën. Në këtë tryezë u diskutua për mënyrat se si masat aktive të tregut të punës mund t'i ndihmojnë komunitetet e Kosovës.
“Jam veçanërisht i lumtur që shoh një ndryshim që prej takimit të shtatorit, që ta kemi sot me ne ministrin për Komunitete dhe Kthim, tani Nenad Rashiq, ministër i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Për t’i adresuar problemet, Kurti ka thënë se ka pasur takime të shumta me pjesëtarë të komuniteteve joshumicë, përfshirë edhe dialog të brendshëm me serbët e Kosovës. Sipas tij, nuk mungon angazhimi as në Bruksel.
“Në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, në të cilin marr pjesë së bashku me ekipin tim dhe veçanërisht me kryenegociatorin Bislimi, çështja e komuniteteve joshumicë ose mbrojtja dhe të drejtat e minoriteteve trajtohet me prioritet dhe vëmendje gjatë gjithë kohës”, ka thënë Kurti.
Kurti është shprehur se Qeveria që drejton ka bërë hapa praktikë për të nxitur ndryshime pozitive te kjo pjesë e shoqërisë, duke përmendur bursat për studentë, grantet dhe 1426 vende pune, që, sipas tij, u siguruan vitin e kaluar.
“Agjencia jonë kombëtare e punësimit vitin e kaluar siguroi 809 vende pune për anëtarët e komuniteteve pakicë, duke përfshirë edhe masat aktive të tregut të punës. Vitin e kaluar u siguruan vetëm 617 vende pune për anëtarët e komuniteteve pakicë, ndërsa numri i përgjithshëm i vendeve të punës të siguruara përmes agjencisë mbeti pothuajse saktësisht i njëjtë – që do të thotë se nga viti në vit ne kemi arritur një rritje prej 31% të numrit të vendeve të punës të siguruara për komunitetet pakicë”, ka deklaruar ai.
E ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka shpalosur një iniciativë që, siç sipas tij, ka për qëllim afrimin e shqiptarëve dhe serbëve.
“Është quajtur shtëpia e miqësisë, që është emër simbolik dhe imagjinoj të jetë një shtëpi për shoqërinë shqiptaro-serbe. Ndoshta jam shumë entuziast, por e di që ne e kuptojmë njëri-tjetrin nëse nuk e lëmë politikën të ndërhyjë”, është shprehur Rashiqi.
Diskutimi, sipas organizatorit, kishte për qëllim prezantimin para donatorëve të nevojave dhe sfidave të komuniteteve.