Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar drejt Zvicrës për takim bilateral me presidentin e Konfederatës Zvicerane, Alain Berset, dhe për t’u takuar me kandidatë shqiptarë për zgjedhjet federale të sivjetme, ka konfirmuar Zyra e Kryeministrit.
Në komunikatë bëhet e ditur se ai do të shoqërohet nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Zgjedhjet në Zvicër mbahen më 22 tetor.
Kryeministri Kurti është kritikuar nga akterë të opozitës se po ndërhyn në zgjedhjet e shqiptarëve në Zvicër.
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër, ditë më parë akuzoi Kurtin se “përfshirja e partive politike të Kosovës në zgjedhjet zvicerane, në rastin konkret e kryeministrit të Kosovës, nuk i shërben harmonisë”.
“Në fakt, kjo ndërhyrje mund të jetë vetëm e dëmshme, duke hutuar mërgatën dhe përçarë opinionin”, ka akuzuar PDK-ja.