Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti nga Greqia shprehet optimist për Marrëveshjen e Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur me Serbinë më 18 mars, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në kuadër të Forumit të Delphit në Greqi të premten, Kurti ka thënë se duhet implementim i shpejtë i Marrëveshjes, të cilën e ka konsideruar si një sfidë.

“BE-ja ka treguar se mund të normalizojë marrëdhënie. Është e inspiruar nga modeli i dy Gjermanive. Në thelb, dy shtete që vendosin të jetojnë me njëra-tjetrën, me sovranitetin e tyre, dhe të drejta të barabarta. Jam optimist për këtë marrëveshje. Na duhet implementim i shpejtë. Tash implementimi është një sfidë, por jo diçka për të cilën duhet të frikësohemi si u shpreh drejtuesja e UNMIK-ut në Kosovë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Kurti tutje ka thënë se Kosova e Serbia duhet të punojnë për ta ndryshuar të ardhmen. E ka cilësuar si sukses të madh të Kosovës, Serbisë dhe BE-së marrëveshjen e arritur më 18 mars.

“Marrëdhëniet tona [me Serbinë] nuk janë normale, duhet normalizim. Kosova është vend normal, demokratik, jo shtet i madh, por shembull i mirë se si zhvillimi i ekonomisë dhe demokracia shkojnë dorë për dore. Dhe jemi tregues suksesi i ndërhyrjes së NATO-s. Duhet të normalizojmë marrëdhëniet, sepse nuk mund ta ndryshojmë historinë dhe gjeografinë. Mund ta ndryshojmë të ardhmen, mund të punojmë për të ardhmen e mirë. Marrëveshja e Ohrit është sukses i madh i Kosovës, Serbisë dhe BE-së”, ka shtuar Kurti.

Edhe Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën Arbëri 2 muaj më parë Kurti: BE-ja duhet të punojë për të siguruar statusin e kandidatit për Kosovën

Ai ka përmendur sanksionet që i janë vënë Rusisë për agresionin në Ukrainë, strehimin e gazetarëve afganë, duke thënë se këto tregojnë se Kosova është e rreshtuar kah vlerat perëndimore.

Kurti do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel. Pritet të diskutohet çështja e të pagjeturve dhe Asociacioni.