LAJMET E MBRËMJES

Kryeministri Kurti kërkon t’i bëhet presion Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjeve

Kryeministri Albin Kurti është duke qëndruar në Vjenë. Të hënën ai mori pjesë në një prej paneleve të diskutimit në kuadër të Forumit Ekonomik me temën “Ndërtimi i bashkëpunimit ekonomik në kohë të vështira”. Foli për zhvillimin ekonomik në Kosovë e për bashkëpunimin me Serbinë. Mes tjerash, bëri thirrje që palës serbe t’i bëhet presion që të nënshkruajë marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër këtë vit

Presion më të madh ndaj Serbisë për të nënshkruar marrëveshjet e arritura ka kërkuar kryeministri Albin Kurti të hënën.

Derisa ishte pjesë e një diskutimi në Vjenë, lidhur me ndërtimin e bashkëpunimit ekonomik në kohë të vështira, Kurti tha se refuzimi që Serbia ua ka bërë marrëveshjeve ka çuar në përshkallëzim të situatës në terren.

“Ne kemi nevojë për më shumë presion mbi Beogradin që të nënshkruajë marrëveshjen për të cilën jemi pajtuar. Gjithashtu kemi nevojë për integrim në Bashkimin Evropian, sepse nuk mendoj që rajoni ynë mund të integrohet jashtë BE-së ose pa BE-në. Duhet të jetë drejt BE-së dhe me BE-në. Dhe Procesi i Berlinit duhet të jetë edhe më i thellë dhe i intensifikuar për këtë qëllim, por përsëri nënshkrimi i njohjes së përbashkët de facto të dyanshme është hapi i parë dhe më i rëndësishëm”, tha Kurti.

Kosova e Serbia pranuan Marrëveshjen e Brukselit më 27 shkurt e më pas edhe Aneksin për zbatimin e saj më 18 mars në Ohër, por Beogradi zyrtar refuzoi të hidhte firmën mbi këto dokumente.

Në Forumin Ekonomik të Vjenës kryeministri Kurti u shpreh se Procesi i Berlinit është rruga përpara për të përgatitur vendet e Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.

Në Vjenë foli edhe për zhvillimin ekonomik që, sipas tij, është arritur gjatë qeverisjes prej 2 vjet e gjysmë.

“Kemi pasur përparim për sa u përket të drejtave të njeriut, lirisë së mediave, sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe në këtë mënyrë ekonomia jonë është rritur, njerëzit kanë paguar më shumë taksa dhe kanë kontribuuar, sepse kanë parë që nuk ka korrupsion në qeveri”, theksoi Kurti.

Në Forum kryeministri Albin Kurti ka ftuar vendet pjesëmarrëse e më gjerë për të investuar në Kosovë, derisa BE-së i ka bërë thirrje që hekurudhën që do ta lidhë Prishtinën me Durrësin ta përfshijë në rrjetin transevropian.

Në Austri Kurti do të qëndrojë edhe të martën, kur pritet të takojë përfaqësues të kompanive private nga sektori i energjisë.