Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e fundvitit, ka shprehur garanci se “çdo marrëveshje që do të nënshkruhet (në dialogun me Serbinë), do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do ta kërcënojë sigurinë e integritetin territorial, kushtetutshmërinë e rendit ligjor të vendit tonë”.
Në adresimin e fundvitit, Kurti ka thënë se Kosova ka bashkëpunim me aleatët në procesin e normalizimit me Serbinë me synim për të sjellë paqe e siguri dhe “për ta hequr barrën që do ta ngadalësojë rritjen e prosperitetin tonë”.
Ai e ka cilësuar Kosovën “shembull të shtetit të së drejtës”.
“Kosova jonë është në prag të një të ardhmeje që është më afër asaj se çka e meritojmë dhe për të cilën kemi punuar intensivisht”, ka shtuar ai, duke vënë në theks liberalizimin e vizave që hyn në fuqi nga 1 janari.
Në adresim, Kurti ka thënë se Kosova po e mbyll vitin 2023 me mbështetjen e aleatëve dhe po përgatitet për të ardhmen me progres në vlerat e demokracisë dhe interesat e përbashkët me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“E ky bashkërendim me partnerët tanë perëndimor, merr edhe më shumë rëndësi kur siguria e Evropës dhe rajoneve të ndryshme anekënd botës, po kërcënohet nga forca destabilizuese”, ka thënë ai.
Edhe
Kurti: Sfidat e sivjetme t’i lëmë pas dhe të vazhdojmë përpara me më shumë forcë e vendosmëri
Tutje ai ka lavdëruar qeverisjen e tij më 2023, ndërsa ka thënë se më 2024 duhet të reflektohet mbi mësimet e marra.
“Kemi arritur në fund të një viti që, pa dyshim, ka lënë gjurmë në shtetin tonë. Teksa po e lëmë pas 2023-tën, një vit transformues, le të ngulisim në kujtesën tonë e të reflektojmë mbi mësimet që i kemi marrë, e të arriturat që i kemi shënuar. Ju falënderoj përzemërsisht dhe uroj që viti i ardhshëm 2024 të jetë i mbushur me paqe e dashuri, prosperitet dhe unitet për të gjithë ne. Gëzuar vitin e ri nga Qeveria jonë!” ka shkruar ai në Facebook.
Në shkurt sivjet, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qenë zotuar në Bruksel mbi një Marrëveshje bazike për normalizim raportesh. Një muaj më pas, në Ohër kishte dakordim për Aneksin e Zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Pavarësisht dakordimit, Serbia ka insistuar vazhdimisht në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e Kurti në nënshkrim të marrëveshjeve të dakorduara. Në fund të vitit, Kosovës iu dorëzua një drafstatut i hartuar nga ndërkombëtarët për Asociacionin. Kurti u shpreh i gatshëm për nënshkrim të dy marrëveshjeve paraprake dhe draftit, por sërish Serbia refuzoi nënshkrimin.