Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë thirrje që të hiqen sa më parë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Po ashtu Kurti ka njoftuar Costan për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa ka theksuar rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të Milan Radoiçiqit.
“Kryeministri Kurti theksoi dhe nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës. Më tej, kryeministri foli dhe rreth situatës së sigurisë dhe sulmeve të fundit. Ai e informoi Presidentin Costa mbi sulmin kinetik terrorist të së premtes së 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe qëllimin e këtij sulmi për të dëmtuar prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin e ujit, nga i cili më shumë se gjysma e popullsisë do të mbetej pa energji elektrike dhe ujë. Ai theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
E në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se e ka uruar Costan për detyrën e re dhe i ka ofruar bashkëpunim të ngushtë.
“Në Bruksel pata kënaqësinë që të takoj dhe të bashkëbisedoj me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, i cili sonte është gjithashtu nikoqir i darkës me liderë të Ballkanit Perëndimor. Kosova është e përgatitur dhe e përkushtuar që të përparojë në rrugën drejt BE-së. Duke e uruar për detyrën e re dhe suksese të shumta gjatë angazhimit të tij, i ofrova bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, gjersa vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket”, ka shkruar Kurti.
-
Kurti kërkon statusin e kandidatit në takim me Costan: Kosova e rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së
-
Kurti takohet me kancelarin austriak, thekson përkushtimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së
-
Costa: BE-ja s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë Kosovës
-
Abdixhiku takon Costan: Kosova duhet të jetë në mesin e kombeve evropiane, për këtë duhen institucione stabile
-
Costa: Kosovës i nevojiten institucione të forta dhe zbatim i dialogut për avancimin drejt BE-së