Në fjalimin në dyvjetorin e marrjes së detyrës si kryeministër, Albin Kurti të mërkurën ka numëruar ato që i ka cilësuar si pengesa në punën e Qeverisë që ai udhëheq dhe sukseset që ka thënë se janë arritur.
Në mesin e pengesave ai ka numëruar pandeminë, krizën energjetike e krizën ekonomike pas nisjes së luftës në Ukrainë.
E faj u ka lënë edhe qeverive të kaluara.
“Në këto 24 muaj bashkërrugëtim vullneti dhe ambiciet tona janë përballur me një trend të rënd e të trashëguar dhe në të njëjtën kohë me sfida të jashtme të paprecedent”, ka theksuar Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë që është mbajtur të mërkurën.
Qeveritë e kaluara ai i ka fajësuar për shkurtpamësi në politika ekonomike.
“Në Kosovë varësia ndaj importit të energjisë elektrike, në mungesë të kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike dhe ndaj produkteve që konsumojmë në mungesë të prodhimtarisë vendore, zhveshi paturpësisht krejt qeverisjet 13-vjeçare dhe shkurtëpamësinë e politikave ekonomike”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka deklaruar se në fillim të vitit 2022 Evropa u shokua nga fillimi i luftës në Ukrainë, gjë që sipas tij rëndoi edhe më shumë krizën ekonomike botërore.
“Vendi kishte nevojë për rikuperim, rikuperim, ringjallje, rikthim të normalitetit, rikuperim të dëmeve e ringjallje të ekonominë”, ka thënë Kurti para se të numëronte ato që i ka cilësuar suksese të qeverisjes së tij.
Pavarësisht këtyre, ai ka thënë se ka pasur suksese të qeverisjes duke deklaruar se Qeverisë i janë dashur vetëm dy muaj që të negociojë e të nënshkruajë kontratën për vaksina kundër COVID-19. Ka përmendur si sukses procesin e vaksinimit, që sipas tij. ndikoi pastaj edhe në hapjen e ekonomisë e rritjen e qarkullimit.
Ka përmendur këtu edhe subvencionimin e faturave të rrymës e “disa masa të punësimit”. Ai ka thënë se ka pasur rrije të të hyrave tatimore e rritje të eksporteve e të investimeve të huaja.
Sipas tij të gjitha këto kanë qenë rezultat i qeverisjes së mirë.
Ai ka thënë se dy vjet më parë Kosova ishte i vetmi vend në rajon që nuk kishte as një vaksinë kundër COVID-19 dhe as një kontratë për vaksina, pasi që sipas tij Qeveria pararendëse kishte dështuar t’i sigurojë ato.
Kurti ka përmendur edhe subvencionet që Qeveria e tij ka dhënë për kursim të energjisë, për pensionistët e për nënat lehona.
Si hap të rëndësishëm Kurti ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës e Bashkim Evropian.
Megjithëkëtë kreu i Qeverisë ka thënë se në pjesën e dytë të mandatit duhet të bëjnë edhe më shumë e edhe më shpejt.