Arbëri

Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia më mirë se kurdo më herët e ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen.

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Kurti ka thënë se Rusia kërcënon rajonin përmes Serbisë.

“Nga katër fqinj, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duhet se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurdo herë më parë që jemi shtet. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu edhe ajo për Perandorinë Ruse apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por kjo është e pamundur”, ka thënë ai.

Tek ka folur për veriun e Kosovës, Kurti ka thënë se para “5-10 vjetësh nuk ka pasur as liri për të ecur e folur shqip lirshëm”.

Kurti ka deklaruar se kjo është arsyeja përse duhet më shumë solidaritet brenda kontinentit Evropian dhe vetë NATO-s. Sipas tij, “Rusia dëshiron që t’i shkatërrojë të dyja, e Kina të arrijë fuqinë e SHBA-së”.

Ai ka thënë se “kushdo që ndihmon fqinjin tonë në përpjekjet për të destabilizuar, na shkakton edhe neve probleme”.

“Kërcënimi jonë për këtë është Rusia”, ka thënë Kurti.

Duke folur për ndryshimet gjeopolitike, ai ka thënë se ka turbulenca që janë të paparashikueshme.
Kurti ka shtuar se duhet të ketë bashkëpunim më të shtuar brenda NATO-s, por edhe aleanca rajonale.


Kurti në Davos: Populli i Kosovës refuzon të kthehet në epokën e korrupsionit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, tek ka folur për qeverisjen e tij, ka thënë se e ka trashëguar një situatë me korrupsion endemik e se populli i Kosovës refuzon që të kthehet në të në të ardhmen.

“Ne e kemi trashëguar një situatë me korrupsion endemik. Ka rezistencë e qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Pra shpresa jonë janë njerëzit, që ata do ta njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që e hasin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se qeverisja e tij ka qenë shembull.

“Askush, absolutisht askush brenda kabinetit të ministrave s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit”, ka thënë ai.

Duke folur për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ai ka thënë se ato nuk kanë qenë synim i partisë së tij, por “pasojë e mungesës së bashkëpunimit me opozitën”.

Kurti ka thënë se Vetëvendosje ka provuar pas 9 shkurtit të vitit të shkuar që të takohej me parti opozitare, por se ata refuzuan.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kurti dhe VV-ja fituan më shumë se 50 për qind të votave.