Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar 22 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s duke e quajtur atë, ngadhënjim të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb.

“Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Milosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 viteve, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në 78 ditët në vijim, Kurti ka thënë se, “do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë”.

“Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë”, ka shkruar tutje Kurti.