Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova menjëherë pas liberalizimit të vizave duhet të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Kurti duke diskutuar në Institutin "Karl Renner" në Vjenë ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është i vonshëm. Ai ka thënë se Kosova po bën përpjekje tash që t’i mbajë qytetarët në shtëpi.
“Menjëherë pas liberalizimit Kosova e meriton dhe duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Shpresoj që t’i përgjigjemi me zell mijrëa pyetjeve që znj. Ursula von Der Leyen do të na i bëjë ne, pasi t’i thotë Këshilli Evropian. Liberalizimin po ta fitonim para disa vjetëve do të ishte më i rëndësishëm për Kosovën sesa që është tash. Po përpiqemi t’i mbajmë njerëzit në vendin tonë, nëpërmjet ‘ausbildung’ siç e quani, kjo ndërlidhje e arsimit me tregun e punës. Kur ekonomia e arsimi nuk komunikojnë mirë atëherë fiton migrimi. Ne si hakmarrje e ëmbël po marrim modelin gjerman që njerëzit të mos shkojnë më në Gjermani”, ka thënë Kurti.
Kurti ka folur edhe për aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO e po ashtu edhe për njohjen nga pesë shtetet e BE-së që ende se kanë njohur Kosovën, Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
“Mendoj që kur t’i bashkohemi NATO-s ne jemi plotësisht të sigurt, por për t’iu bashkuar NATO-s ju duhet të kontribuoni e jo vetëm të prëfitoni. Dhe që të kontribuojmë ne do t’i rrisim kapacitetet tona. Mendoj që jemi nga ato shtetet që së pari do t’i bashkohet NATO-s e më pas BE-së, sepse BE-ja është më e komplikuar, siç e dimë. 22 shtete të BE-së na njohin, e pesë nuk na njohin. Kemi përmirësuar atmosferën, por s’ka hapa konkretë që do të mund të thoja që këtë vit apo vitin e ardhshëm do të na njohë ndonjë. Kur këto shtete të na njohin, asgjë s'mund të na ndalojë drejt anëtarësimit në NATO e BE. Shteti i fundit i BE-së që na ka njohur mendoj se ishte Portugalia në tetor të vitit 2008 dhe nga atëherë këto pesë shtete mosnjohëse janë bërë si një grup. Kështu që duhet ta ndryshojmë këtë tash, është shumë më e vështirë të bëhet sesa në vitin 2009 apo 2010”, ka thënë Kurti.
Edhe
Kurti: Strukturat kriminale serbe brenda Kosovës kanë humbur betejën
Kurti për sulmin terrorist në Banjskë: Serbia synonte t'i jepte hije fetare konfliktit
Gjatë diskutimit Kurti është pyetur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Kurti ka thënë se dyshon që qëllimi i Serbisë kishte qenë që të shtyjë policinë e Kosovës ta sulmojë Manastirin e Banjskës.
“Për mendimin tim ata shpresonin ta sulmonim manastirin, ku kishte disa pelegrinë e priftërinj ortodoksë. Gjëja e parë që më erdhi në mendje kur më telefonoi ministri i Brendshëm në 4 të mëngjesit të dielën më 24 shtator, e pyeta se ku po ndodh. Më tha afër një manastiri, fiks edhe në Sarajevë më 1 mars filloi ashtu me plagosjen e një peshkopi ortodoks e vrasjen e babait të dhëndrit në atë ceremoni. Të gjithë mendonin se u vra prifti, por ai ishte plagosur. Ishte përpjekje për t’i dhënë hije fetare këtij konflikti. E siç e ka thënë Churchilli, nëse doni që konflikti të mos përfundojë kurrë atëherë bëjeni fetar. Urdhri im për ministrin e Brendshëm ishte zero viktima civilë, asnjë plumb nga polictë tanë në muret e manastirit. Të luftohen terroristët vetëm në atë mënyrë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se “plani B i Serbisë ishte që të shtynte Kosovën ta dërgonte FSK-në në veri pa pëlqimin e NATO-s, e më pas të thotë ndaleni ushtrinë e Kosovës ose po hyjmë ne me ushtri. Por, asnjëri nga skenarët nuk u realizua, kështu që dolëm fitimtar. Tash duhte ekstradimi i grupit të Milan Radoiçiqit, duhet arrestuar anëtarët e Brigadës së Veriut dhe Mbrojtjes Civile, që i shpallëm organizata terroriste”.
Kurti ka thënë se duhet bashkëpunim ndërkomunal në gjithë Kosovën, porse kundrejt Serbisë ka thënë se duhet të jenë të qartë.
Edhe
Kurti: Të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë
“Serbia filloi me 16 barrikada të vendosura për tri javë, plagosjen e lëndimin e 90 ushtarëve të KFOR-it më 29 maj, më pas me rëmbimin e tre policëve të Kosovës në qershor, e pastaj me vrasjen e policit Afrim Bunjaku më 24 shtator. Nuk na duhet episodi i pestë. Në këtë drejtim na duhet mbështetja e BE-së dhe SHBA-së, që duhet qartësisht të thonë se shenjat e gishtërinjve të Beogradit zyrtar janë mbi çdo gjë që ndodhi më 24 shtator”, ka thënë Kurti.
Kurti: Vuçiqi s’po do të nënshkruajë marrëveshjen, është pishman që u dakordua gojarisht
Kurti po ashtu ka përmendur takimin e fundit në Bruksel, ku tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sërish refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes.
“Përkundër kritikave për drafstatutin për Asociacionin që na u prezantua, që është shumë më i mirë se ai i vitit 2013 dhe 2015, por jo aq i mirë sa do të doja, por thash ok po e nënshkruajmë sot Marrëveshjen e Brukselit, Aneksin e Ohrit dhe këtë draft si një pako dhe i kërkova presidentit Emmanuel Macron, kancelarit Olaf Scholz, kryeministres Giorgia Meloni, edhe statusin e kandidatit dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s. Por, presidenti Vuçiq pasi patëm takim me liderët e njëjtë tha se nuk mund të nënshkruajë në një letër me Kurtin, donte nënshkrim të dy dokumenteve të ndara. Një ai me BE-në dhe një unë me BE-në. Por, unë s’kam konflikt me BE-në dhe thash se nëse duam të normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, atëherë sigurisht duhet nënshkruar”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se Vuçiq kishte nënshkruar me ish-kryeministrët e Kosovës, Isa Mustafën e Hashim Thaçin, por po refuzon ta bëjë me të.
Edhe
Kurti: S’ka normalizim pa siguri dhe s’ka siguri me përgjegjësit për sulmin në Banjskë, që janë të lirë
“Por pastaj, përkundër refuzimit tradicional për të nënshkruar ai kërkoi të ketër një letër anësore që do t’i dërgohej ndërmjetësve ku thuhej se Serbia s’do ta njohë kurrë Kosovën, s’do të ketë ulëse OKB për Kosovën, sikur kjo varet nga Serbia dhe e treta s’ka respektim të integritetit territorial. Kjo më brengos, është gjë e re, shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes bazë. Çfarë duhet të shohë, që miqtë evropianë që kanë ndërmjetësuar e janë referë, kur ka shkelje marrëveshjes ata duhet të fishkëllejnë. Kur ka faul duhet fishkëllyer. Ka shumë që nuk merret parasysh. Ne duhet të nënshkruajmë. Këtu kemi ngecur. Brukseli është kryeqyteti, Samiti i BE-së ishte vendi, aty duhet të ndodhte, nën atë dritën e urgjencës. Por mundësia u humb të shohim tash”, ka thënë Kurti.
Kurti gjatë diskutimit ka përmendur punën e bërë nga Qeveria e tij, në aspektin social e ekonomik.