LAJMET E MBRËMJES

Kurti: S’ka normalizim pa siguri dhe s’ka siguri me përgjegjësit për sulmin në Banjskë, që janë të lirë

Kryeministri Albin Kurti tha se prioritet i Kosovës është siguria dhe se siguria e nënkupton që përgjegjësit për sulmin në Banjskë nuk duhet të jenë në liri. Ai theksoi se në këto rrethana, s’mund të mendohet për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur qëndrimin se pas sulmit të grupit paraushtarak serb në Banjskë, prioritet është siguria e shtetit.

Gjatë një vizite në Komunën e Gjilanit, kryeministri theksoi se fokusi është te kufiri me Serbinë.

"Nga sulmi terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit, na duhet të theksojmë se prioritet i shtetit të Kosovës, i republikës sonë demokratike, është siguria. E siguria është siguria e kufijve. Ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të kemi normalizim, pa pasur siguri", ka thënë Kurti.

Kryeministri ka thënë të mos jetë në dijeni për ndonjë takim të përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, të planifikuar nga ndërmjetësit e BE-së. Por, ndonëse ka thënë se pala kosovare ka qenë e përkushtuar, konstruktive e kreative në proces, Kurti ka bërë të ditur se s’mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë pa dënimin e përgjegjësve për sulmin në Banjskë.

"Siguria e nënkupton që kriminelët, terroristët, nuk duhet të jenë të lirë siç fatkeqësisht po ngjan në Serbi, ndërkaq kufiri i Kosovës i cili është 381 kilometra vetëm në pjesën me Serbinë, duhet të jetë i sigurt, andaj për mbrojtjen dhe ruajtjen e tij po angazhohemi me institucionet tona të sigurisë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë", ka thënë ai. 

Në procesin e dialogut Kosovë-Serbi pritet të mos ketë zhvillime para konstituimit të institucioneve të reja në Serbi, që dalin nga zgjedhjet e 17 dhjetorit. Kryeministri tha se është i interesuar të ofrojë mbështetje për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në mënyrë që të fitojnë sa më shumë mandate në Kuvendin e Serbisë.