Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti me Peachin flasin për nevojën e zbatimit të shpejtë të Marrëveshjes Bazë

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike të martën me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë telefonatë është diskutuar për takimin e së enjtes të nivelit të lartë të dialogut.

Më tej thuhet se në këtë bisedë është theksuar nevoja për zbatim të shpejtë, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër.

“Folën për çështjet aktuale, duke përfshirë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut me 14 shtator në Bruksel. U theksua nevoja për zbatimin e shpejt, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër. Ata po ashtu folën edhe për situatën politike dhe të sigurisë në rajon”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje bëhet e ditur se Kurti e ka falënderuar Peachin për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar.