Kryeministri Albin Kurti teksa është deklaruar për punët e kryera në politikën e jashtme përgjatë qeverisjes së tij, ka renditur disa realizime, përfshirë edhe liberalizimin e vizave për qytetarët.
Në ciklin e postimeve të tij rreth punës së Qeverisë, Kurti ka thënë se politika e jashtme është reflektim i Qeverisjës së brendshme.
“Ligjshmëria, reformat, luftimi i korrupsionit dhe praktikave korruptive dhe qeverisja e mirë, u vërejtën dhe u vlerësuan nga të gjithë partnerët tanë brenda Bashkimit Evropian, përfshirë edhe disa vende hezituese kur vinte puna te liberalizimi i vizave për Kosovën. Me qeverisjen tonë dhe pas votimit përfundimtar të Parlamentit Evropian, tanimë është e qartë, nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen”, ka shkruar ai.
Ai më tej përmendi edhe aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkim Evropian, e edhe anëtarësimin në Partneritetin për Qeverisje të Hapur dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
“Mirëmbajtëm marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatët tanë. Dëshmuam vlerën, mirënjohjen dhe gatishmërinë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e strehimit të refugjatëve afganë. Vërtetuam orientimin tonë euro-atlantik kur u rreshtuam me demokracitë e botës në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Treguam fisnikërinë dhe mikpritjen tonë duke pranuar dhe mbështetur financiarisht deri më tani 18 gazetarë ukrainas dhe pesë gazetarë afganë”, ka theksuar ai.
Ai ka përmendur edhe “rikthimin e ligjshmërisë” në MPJD si një prej të arriturave të kësaj qeverie.
Edhe
Qeveria: Kudo që të udhëtoni, mos harroni se shtëpia juaj është Kosova
“Avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, një nga pesë vendet mosnjohëse në BE. Vendosëm ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe shfuqizuam vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme. Si rezultat, rritëm nivelin profesional të diplomatëve dhe përmirësuam dukshëm shërbimet konsullore në ministri dhe në misionet jashtë vendit”, ka thënë ai.