Vendimi për heqjen e vizave nga 1 janari i vitit të ardhshëm është përshëndetur nga spektri politik në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani theksoi se vendimi përbën fitore, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. E në një deklaratë të Qeverisë, meritat për këtë zhvillim iu atribuuan ekzekutivit. Ndërkaq në opozitë vendimi u pa si i vonuar, por i merituar
Përfaqësuesit shtetërorë e edhe ata të partive në opozitë e mirëpritën vendimin e Parlamentit Evropian që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Marrëveshja për liberalizim të vizave kaloi pa asnjë kundërshtim të martën në Parlamentin Evropian.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ky vendim është meritë e vendosmërisë së shtetit të Kosovës të treguar përgjatë viteve. Ajo tutje theksoi se vendimi përbën fitore, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë.
“Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.
E për këtë arritje, Qeveria ia atribuoi meritat vetes. Përmes një komunikate dërguar mediave thuhet se vendimi i Parlamentit Evropian është një moment kyç i përafrimit të vendit me familjen evropiane.
“Falë punës së Qeverisë, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, thuhet në komunikatë.
Por kryeministri Albin Kurti meritat i ndau edhe me të tjerët. Përmes një publikimi në profilin e tij në Facebook, ai ka falënderuar shtetet e BE-së për votën e tyre.
“Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë. Falënderojmë eurodeputetët, Parlamentin Evropian dhe shtetet e Bashkimit Evropian për votën, vendimin dhe mbështetjen”, ka shkruar ai.
Vendimin për liberalizimin e vizave e përshëndetën edhe liderët e opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka thënë se ai është i vonuar, por i merituar.
“Vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse shumë i vonuar, është më se i merituar e i mirëseardhur. Prandaj, para se gjithash, sot urimet i meritojnë qytetarët tanë. Shpresoj që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë”, ka shkruar ai.
E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se me vendimin e së martës iu dha fund një trajtimi të padrejtë ndaj kosovarëve.
“Një ditë e paharrueshme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj, pasi liberalizimi i shumëpritur i vizave miratohet përfundimisht nga Parlamenti Evropian. Një trajtim i padrejtë dhe i padrejtë më në fund e sheh fundin. Ne e festojmë këtë moment historik dhe presim me padurim një të ardhme brenda familjes evropiane”, ka shkruar Abdixhiku.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi se tash është momenti që Kosova të marrë konfirmimin për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës.
“Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Evropian, që sot hoqi pengesën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovë! Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuuan që ky proces të përmbyllet me sukses. Tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe”, ka shkruar ai në Facebook.
Vendimin e kanë mirëpritur edhe ambasadat në Kosovë. Ambasada e Gjermanisë ka uruar qytetarët e Kosovës, duke theksuar mbështetjen që ky shtet ka dhënë për këtë çështje.
“Si mbështetës të fortë i kësaj çështjeje prej kohësh, ne nuk mund të shprehim se sa të lumtur ndihemi që më në fund u mor ky vendim i vonuar prej kohësh”, thuhet ndër të tjera në urimin e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është rezultat i masave të marra nga Qeveria e Kosovës.
“Pikërisht shkaku i masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti Emmanuel Macron u pajtua për liberalizim të vizave verën e kaluar”, ka shkruar Guerot.
Vendimi i Parlamentit Evropian pritet të nënshkruhet zyrtarisht të mërkurën, në të cilën ceremoni do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova.