Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosovës do të duhej t’i hiqeshin vizat në vitin e ardhshëm, pasi ka ardhur koha për një gjë të tillë.
Kurti komentet i bëri në Austri në diskutimin “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”
“Unë mendoj se është koha e duhur për Kosovën që të kemi liberalizim të vizave diku vitin e ardhshëm. Kjo nuk varet natyrisht nga ne. Por kurdo që takohemi kolegët evropianë dhe miqtë të gjithë e shohin si padrejtësi të madhe për Kosovën dhe në anën tjetër BE ka më shumë vetëbesim dhe kjo përkthehet në një besueshmëri më të madhe në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme në shtator 2019, e ka mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Një shumicë prej 49 ligjvënësish ranë dakord të fillojnë bisedimet me Këshillin e BE-së për propozimin e heqjes së vizave për Kosovën.
Votime të ngjashme ishin mbajtur edhe në shtator 2018 dhe mars 2019, por mandati për bisedime me Këshillin e BE-së është dashur të ripërtërihet pas zgjedhjeve të përgjithshme të BE-së në muajin maj.
Liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet ende i diskutueshëm në Këshillin e BE-së, pasi Franca dhe Holanda vazhdojnë të hezitojnë që t’i japin Këshillit një mandat për të negociuar me parlamentin.
Kurti gjatë diskutimit në Vjenë “Kosova: Një rreze shprese për demokraci në Evropën Juglindore?”, ka thënë se marrëveshja e Uashingtonit “më shumë ishte tentim për marrëveshje të shpejtë sesa ndihmë për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë”.
“Sa i përket marrëveshjes së shtatorit në Uashington, ka aq shumë elemente në atë marrëveshje, nuk po them se secili element në këtë marrëveshje nuk është i mirë, siç është njohja reciproke me Izraelin siç ishte pika e fundit dhe është implementuar dhe është pozitive. Por prapë më duhet të them se ky lloj zotimi unilateral në mes të Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar ishte shumë më shumë lëvizje taktike e administratës paraprake para zgjedhjeve në SHBA dhe ka pasur synim që të ndërtojë diçka të qëndrueshme për të shtruar të ardhmen e sigurt. Unë e shoh këtë më shumë si një tentim për një marrëveshje të shpejtë që do ta mbante imazhin ndërkombëtar dhe politikat vendase të ish-presidentit sesa në të vërtetë të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara”, tha Kurti.
Ai gjithashtu ka komentuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA, duke thënë se “situata tani është shumë ndryshe, për më mirë natyrisht”.
“Presidenti Biden është ndër liderët më progresiv në botë. Nëse e shohim programin e tij, është socio-demokratik për çka kemi nevoje të gjithë jo vetëm SHBA, por të gjitha vendet. Unë kisha mundësinë që në pallatin Elize në darkën që thirrur nga presidenti (Emmanuel) Macron të takohem me Kamala Harris, zëvendpresidente e SHBA. Kishte një fjalim të jashtëzakonshëm në këtë forum”, ka thënë Kurti./ksp